Pas mbledhjes maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Report TV mëson se kryeministri Edi Rama ka prezantuar 7 ndryshime në Qeveri.
Në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, e cila la në fuqi pezullimin e saj nga detyra, kryeministri Edi Rama ka vendosur ta largojë nga dy postet e rëndësishme, si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Në vend të saj ka emëruar si numrin dy të Qeverisë Albana Koçiun, e cila është larguar nga Ministria e Brendshme.
Si ministër i Brendshëm u emërua Besfort Lamallari, i cili largohet si ministër i Drejtësisë, post të cilin e merr Toni Gogu.
Ndërkohë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës kryeministri Rama ka vendosur t’ia besojë Enea Karakaçit.
Po ashtu, Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila zëvendëson Toni Gogun në këtë detyrë.
Dy ministrat që ikin përfundimisht nga kabineti qeveritar janë Elisa Spiropali si ministre e Jashtme dhe Pirro Vengu si ministër i Mbrojtjes.
Si ministër të Jashtëm Rama ka ëmëruar ish-Ambasadorin e Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha. Ndërsa si ministër i Mbrojtjes është emëruar Ermal Nufi.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pa vonesë në rrjetet sociale për shkarkimin e Belinda Ballukut nga kryeministri Rama dhe ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar. Berisha e quan lëvizje të Ramës për të shpëtuar lëkurën dhe thotë se kjo do të shtyjë opozitën për të vijuar protestat. Këtu nuk hezion t’i cilësojë “kryengritje paqësore” protestat e tij me molotovë e dhunë.
Berisha i bën thirrje Ramës të dorëhiqet ose do të përballet me opozitën, një apel i përhershëm i tij.
Lëvizja e fundit e Edi Ramës është një lëvizje me të cilën kërkon të shpëtojë lëkurën e tij. Por është një lëvizje, e cila fton qytetarët shqiptarë, opozitën shqiptare të vazhdojë fuqishëm protestat, pasi kryengritja paqësore e shqiptarëve synon, ka si qëllim kryesor madhor shpëtimim e Shqipërisë nga Edi Rama dhe jo-kukullat e tij.
Me lëvizjen e tij, ai përpiqet të mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vet është kreu i organizatës kriminale që drejton. Ndaj dhe, i kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, përndryshe do përballet me opozitën dhe mbarë popullin shqiptar.
Edi Rama, nuk ka më pranverë për qeverinë tënde dhe për ty. Je shkaku i të gjitha problemeve të mëdha me të cilat përballet sot shqiptarët. Je mater matrix e kësaj të keqe të madhe që ka kapluar qënien, shpirtin, trupin e Shqipërisë, tha Berisha.

Ferit Hoxha, Eriona Ismaili, Ermal Nufi dhe Enea Karakaçi
Kryeministri Rama ka ndryshuar kabinetin qeveritar duke bërë zëvendësime dhe largime të ministrave. Ai ka shkarkuar Belinda Ballukun si zv/kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë. Tashmë këto dy poste nuk do të jenë më të përfaqësuara nga një person i vetëm.
Nga kabineti i mëparshëm janë larguar Pirro Vengu dhe Elisa Spiropali, të cilët janë zëvendësuar nga emra të rinj, Ermal Nufi dhe Ferit Hoxha.
Ermal Nufi është ministri i ri i Mbrojtjes i cili zëvendëson Pirro Vengun.
Nufi mban pozicionin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 z. Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ermal Nufi - Pirro Vengu
Ferit Hoxha është ministri i ri i Punëve të Jashtme që zëvendëson Elisa Spiropalin.
Ferit Hoxha u bashkua me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka qenë aktiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare që atëherë. Nga viti 1991 deri në vitin 1995, ai mbuloi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1995, shërbeu si Këshilltar në Misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, ai mbajti pozitat e Drejtorit të Marrëdhënieve Multilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1998 dhe 2001, shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ambasador i Shqipërisë në Belgjikë dhe jo-rezident në Luksemburg. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, ai ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, përfshirë edhe jo-rezident në Portugali, Algjeri dhe Monaco. Ndërmjet vitit 2006 dhe 2009, ai mbajti pozitat e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pozita më e lartë e shërbimit civil. Gjatë kësaj periudhe, ai shërbeu gjithashtu si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe ishte Guvernatori i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) (2007 – 2008).
Nga viti 2009 deri në vitin 2015, ishte Ambasador dhe Përfaqësues i Përs permanent i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe Ambasador i Jo-rezident i Shqipërisë në Kubë. Nga nëntori 2015 deri në mars 2018, ai ishte Drejtor i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Nga marsi 2018 deri në tetor 2021, shërbeu si Ambasador dhe Dërguar i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, në Paris. Më 30 shtator 2021, ai u emërua Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe Ambasador Jo-rezident i Shqipërisë në Kubë.

Elisa Spiropali - Ferit Hoxha
Enea Karakaçi ka zvëndësuar ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun, e cila tashmë është shkarkuar nga detyrat e saj.
Më përpara, Karakaçi ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshmëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Formimi i tij është ligji për çështje energjie. Karakaçi i mori përvojat e para në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjitik shqiptar. Më vonë u punësua në Ministrinë e Energjitikës, ku dhe mbajti poste të ndryshme.

Belinda Balluku - Enea Karakaçi
Eriona Ismaili është ministrja e re për Marrëdhëniet për Parlamentin që zëvendëson Toni Gogun. Ajo ka qenë kandidate për PS në qarkun e Vlorës.
Në vitet e fundit, ka shërbyer si Koordinatore Rajonale në projektin zviceran “Bashki të Forta”, duke ofruar asistencë për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Është gjithashtu aktiviste e shoqërisë civile.

Eriona Ismaili - Toni Gogu
Komente









Vetem Ferit Hoxha ka ndertuar karieren bazuar ne pune dhe vlera! Te shohim!
PërgjigjuEh ku e ka hallin Babloku, dosja Gjermane e djeg shume shperfaq familjen e tij ne afera shume te renda eshte fundi i tij politik dhe kapitullues
Përgjigju