Një vajzë 17 muajshe do të niset në një aventurë pesëvjeçare rreth e qark botës me prindërit e saj, të cilët kanë shitur gjithçka për të blerë një anije dhe për ta jetuar ëndrrën e tyre.
Martina Della Volpe do të niset së bashku me nënën e saj kroate, Kristina Damijanidis (një artiste tatuazhesh) dhe babanë e saj italian, Giuseppe Della Volpe (stilist flokësh).

Ata kanë vendosur të qëndrojnë në det për pesë vite dhe do të kthehen para se vajza e tyre të fillojë shkollën.

“Padyshim që ka pasur njerëz që na kanë kritikuar, por ne kemi planifikuar gjithçka me shumë kujdes. Vajza do të kalojë mjaft kohë me ne, në periudhën vendimtare të jetës së saj dhe ne i kemi marrë shumë lodra dhe libra. Për çfarë tjetër ka nevojë ajo?”, ka thënë Kristina.

Çifti tashmë ka filluar udhëtimin nga Chioggia (Itali veriore) drejt Splitit të Kroacisë. Pas detit Adriatik, ata do të lundrojnë nëpër detin Mesdhe drejt Spanjës, dhe pastaj nëpërmjet Gjibraltarit do të dalin në oqeanin Atlantik dhe më pas në atë Paqësor drejt Australisë.
(gm/Shqiptarja.com)