Bizneset dhe konsumatorët e kanë nisur vjeshtën me më shumë besim te ekonomia. Sipas Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 0.3 pikë gjatë muajit shtator dhe vijon të qëndrojë 7.8 pikë përqindje mbi mesataren historike, duke treguar se perceptimi për ekonominë mbetet pozitiv.

Kontributin kryesor në këtë përmirësim e dha sektori i ndërtimit. Treguesi i besimit në këtë sektor u rrit me 6.6 pikë përqindje, duke u pozicionuar 18 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja u mbështet nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse. Po ashtu, kompanitë e ndërtimit raportuan pritje më të larta edhe për çmimet në muajt e ardhshëm.

Edhe konsumatorët u shfaqën më optimistë. Besimi i tyre u rrit me 2.3 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ata vlerësuan më pozitivisht situatën financiare të familjeve, pritjet për ekonominë e vendit, si edhe gatishmërinë për të bërë blerje të mëdha. Ndërkohë, pritjet për rritjen e çmimeve gjatë 12 muajve të ardhshëm janë rishikuar në rënie.

Pamja nuk është njësoj pozitive për të gjithë sektorët e ekonomisë. Besimi në industri u ul me 3.8 pikë përqindje, kryesisht për shkak të vlerësimeve më pak optimiste për prodhimin industrial. Megjithatë, treguesi vijon të mbetet rreth 3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në të njëjtën kohë, bizneset e industrisë presin rritje të punësimit, ndërsa presionet mbi çmimet e produkteve pritet të zbuten.

Edhe sektori i shërbimeve regjistroi rënie të besimit me 2.4 pikë përqindje, si pasojë e vlerësimeve më të dobëta për kërkesën dhe aktivitetin aktual. Pavarësisht kësaj, treguesi mbetet rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Bizneset e shërbimeve presin çmime më të larta në muajt në vijim.

Në tregti, besimi u ul me 1.8 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më të dobëta për ecurinë e biznesit dhe punësimin. Megjithatë, ky sektor vazhdon të qëndrojë rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike, niveli më i lartë krahasuar me industrinë dhe shërbimet.

Të dhënat tremujore tregojnë se ndërtimi ishte edhe sektori me performancën më të mirë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 1.2 pikë përqindje, ndërsa gjendja financiare e bizneseve u përmirësua me 2.8 pikë përqindje. Në të kundërt, industria, shërbimet dhe tregtia raportuan rënie si të përdorimit të kapaciteteve ashtu edhe të gjendjes financiare, me goditjen më të fortë në tregti, ku treguesi financiar u ul me 13 pikë përqindje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të dhënat e shtatorit tregojnë se klima ekonomike mbetet pozitive, megjithëse ritmet e përmirësimit mbështeten kryesisht nga ndërtimi dhe besimi më i lartë i konsumatorëve, ndërsa sektorët e tjerë kanë dhënë sinjale ngadalësimi.