Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Malishevë të Kosovës. Dy makina u përfshinë në aksidentin e frikshëm gjë që shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e pesë të tjerëve.
Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa 5 personat e tjerë të plagosur janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Siç shihet nga fotoja e siguruara nga vendngjarja, përplasja ka qenë aq e rëndë sa njëra prej makinave është ndarë në gjysmë.
“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”-thuhet në njoftimin e policisë.