Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Çikago të SHBA-ve ku një makinë që po qarkullonte në drejtim të kundërt u përplas me disa automjete të tjera në një kryqëzim duke shkaktuar dy të vdekur dhe 16 të plagosur. Mes të plagosurve janë edhe shtatë fëmijë, shkruajnë mediat e huaja.
Automjeti, po udhëtonte me një shpejtësi shumë të lartë në drejtim të gabuar. Pasi hyri gabimisht në kryqëzim, makina u përplas me 7 automjete të tjera duke shkaktuar një kaos në rrugë.
16 personat e plagosur u dërguan në spitalet e zonës, ndërsa 11 prej tyre raportohet të jenë në gjendje më të rëndë. Makina që shkaktoi aksidentin tragjik, ishte raportuar e vjedhur më herët gjatë ditës së mërkurë dhe brenda saj u gjet një armë zjarri.