Mëngjesin e sotëm EULEX ka bastisur shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tek lagjja ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë.

Mediat në Kosovë shkruajnë se Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës-Calit dhe sipas këtyre burimeve, supozohet  se do të ketë edhe arrestime.

Dje me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, zyrtarë të Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, i njohur si EULEX Kosova kanë konfiskuar telefonin Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës-Calit.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, i cili tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00.

“Po është e vërtetë. Ka ndodhur sot rreth orës 16:00. Telefonin e ka konfiskuar policia e EULEX-it.  Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë.Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale ‘pengim i drejtësisë’. Për momentin vetëm ky hap procedural është marrë, pra konfiskimi i telefonit”, tha Shala.

Tutje, Shala shtoi se pas ekzaminimit të telefonit të Mustafës, do të vërtetohet se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e Prokurorisë.