TIRANE - Gjykata e Tiranës e dënon me dy vite burg dhe heqje të funksioneve publike, mirëpo ai vijon normalitetin i pashqetësuar. Bëhet fjalë për Kryetarin e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziun i cili vijon i qetë përditshmërinë e tij, duke pirë kafe me miqtë e tij në lokalet e kryeqytetit.

A1 Report sjell foton e Mziut në një nga lokalet e Tiranës, dhe siç duket nuk shqetësohet aspak për vendimin e dhënë nga gjykata pak ditë më parë për të.

Ndaj kryebashkiakut, rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera”, akuza këto të cilat siç duket nuk e shqetësojnë të pijë kafe në kryeqytet në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Kjo pasi siç u theksua edhe nga avokati i tij Genc Gjokutaj vendimi i Gjykatës së Tiranës do të apelohet, duke qenë se nuk është një vendim i formës së prerë. Xhelal Mziu është zyrtarisht sërish kandidati i Partisë Demokratike për Kamzën në zgjedhjet vendore, ndërsa përpara kësaj do të duhet të njihet me vendimin e Apelit.

Nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, atëherë jo vetëm funksionet publike, por edhe liria dhe kandidimi i tij do të pezullohet, të paktën për 2 vite. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)