Armand Qorri është shqiptari i cili humbi jetën sot në Dubai gjatë hedhjes me parashutë nga një lartësi e konsiderueshme.
 
Mësohet se 28 vjeçari me origjinë nga Vlora, vdiq në një aksident tragjik pasi humbi kontrollin e parashutës dhe ra në një zonë malore.

Sipas informacioneve, nga rënia, Qorri përplasi kokën në shkëmb.

I riu u dërgua në spital, por ndërroi jetë 30 minuta më pas nga plagët që mori në kafkë dhe pjesë të tjerë të trupit. 

Armand Qorri ka qenë i apasionuar pas hedhjeve me parashutë. Në rrjetet sociale ai ka publikuar foto të ndryshme që tregojnë momentet e tij në ajër me parashutë por edhe zbritjet e vështira nga qindra metra lartësi. 

Për ngjarjen e rëndë reagoi fillimisht Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe tregut të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi. 
 
Edhe pse familja e viktimës jetonte prej vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, Armandi ishte kthyer në Shqipëri një vit më parë, ku mësohet se filloi një kurs pastiçerie në "Institutin Kulinar Neranxi". 

Neranxi shkruan në Facebook se Mandi u apasionua aq shumë pas pastiçerisë dhe shkollës, saqë vendosi që në tetor të fillonte edhe shkollën e kuzhinës për tu bërë kuzhinier. 

Postimi i plotë i Nikollaq Neranxit
"Mandi, djali që dashuronte qiellin dhe që mbeti aty
Kur erdhi një vit më parë në "Institutin Kulinar Neranxi", ra në sy menjëherë për dëshirën e madhe me të cilën bënte çdo gjë. Kishte ardhur nga Dubai ku jetonte me familjen, për të bërë një shkollë pastiçerie në Shqipëri. Armand Qorri, një nxënës shembullor i shkollës tonë, humbi jetën tragjikisht dje në Dubai, duke u hedhur me parashutë, një tjetër pasion i tij i madh përveç atij të kulinarisë. Mandi na ka pikëlluar të gjithëve, por më shumë se askënd tjetër familjen e tij. Ne nuk do ta kemi më në mesin tonë Mandin që na bënte të gjithëve ëmbëlsira, por edhe foto, Mandin i cili u apasionua aq shumë pas pastiçerisë dhe shkollës tonë, saqë vendosi që në tetor të fillonte edhe shkollën e kuzhinës për tu bërë kuzhinier. Jeta dhe fati shpesh janë të padrejta, por ajo që di me siguri është se 28 vitet e jetës se tij, Armandi i ka shfrytëzuar si rrallë kush tjetër, duke dashuruar çdo gjë të bukur dhe çdo gjë që e bënte të lumtur. Ai dashuronte qiellin dhe mbeti aty. U prefsh në paqe miku ynë!
", shkruan Nikollaq Neranxi në Facebook.