KORÇË- Punimet në aksin Qukës-Qafë Plloçë, po vazhdojnë intensivisht dhe së shpejti ky aks do shkurtojë distancën dhe kohën e udhëtimit drejt juglindjes së vendit, duke rritur edhe sigurinë rrugore.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se kanë përfunduar 10.5 kilometra në Lotin 2 të rrugës Qukës-Qafë-Plloçë, plotësuar me të gjitha parametrat e sigurisë rrugore me sinjalistikë vertikale/horizontale, guardreil, bankina.

Kreu i qeverisë ka publikuar disa pamje, dhe thekson se në të 3 lotet punimet po vijojnë me qëllim përfundimin e plotë të këtij projekti të shumëpritur.

‘Përfundojnë 10.5 kilometra në Lotin 2 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, plotësuar me të gjitha parametrat e sigurisë rrugore me sinjalistikë vertikale/horizontale, guardreil, bankina. Në të 3 lotet punimet po vijojnë me qëllim përfundimin e plotë të këtij projekti të shumëpritur.’- shkruan Rama.

Projekti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë është pjesë e Korridorit VIII, Tiranë-Korçë.

Përfundimi i saj do t’i japë zhvillim më të madh jo vetëm këtij fshati por gjithë Mokrës, që spikat për natyrën me reliev piktoresk, mjaft atraktive për zhvillimin e agroturizmit dhe sporteve të natyrës.

Rruga mundëson lidhjen e bizneseve e prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit por zgjon gjithashtu potencialet për investime në agroturizëm.