Puna në portin e Durrësit ishte bllokuar këtë mbrëmje si rrjedhojë e një defekti në skaner.

Kjo ka bërë që radha e kamionëve të cilët janë në pritje të imbarkimit në tragetin Durrës-Ankona, të arrijë në disa kilometra.

Ndërkohë me anë të një deklarate Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka njoftuar se defekti është rregulluar dhe se puna i është rikthyer normaliteti që prej orës 20:30 të kësaj mbrëmjeje.

Për shkak të këtij defekti janë shkaktuar vonesa në port, ku trageti me destinacion Ankonën, i cili duhej të nisej në orën 19:00, nuk është nisur në orarin e përcaktuar.

Deklarata e plotë: 
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon të gjithë operatorët ekonomikë që po kryejnë veprime në Degën Doganore Durrës se prej orës 20:30 po vijon normalisht procesi i skanimit në këtë Doganë.

Si pasojë e një defekti teknik të akseleratorit të rrezeve "X" , rreth orës 18:15 u ndërpre procesi i skanimit.

Menjëherë koncesionari "Rapiscan" mori masat e nevojshme dhe aktualisht procesi i skanimit po vijon normalisht.
 
Administrata Doganore kërkon mirëkuptimin e të gjithë operatorëve ekonomik për vonesën e shkaktuar.



[gallery]21176[/gallery]

Redaksia Online
l.q/D.T/Shqiptarja.com