Italia e futbollit ka prezantuar fanellat e reja që do mbajë veshur në Euro 2024. Të prodhuara nga Adidas, të kaltrit do i veshin për herë të parë në një ndeshje zyrtare kundër Shqipërisë më 15 qershor në "Iduna Park" të Dortmundit, për grupin B të Euro 2024.

Fanella e parë është me ngjyrën e kaltër klasike e shoqëruar me vija tringjyrëshe përgjatë shpatullave dhe e theksuar në stemën në gjoks.

Veç së kaltrës, fanella e dytë do ketë ngjyrë të bardhë me nuancat e kuqe dhe jeshile, si flamuri italian. Ndërkohë që në jakë shkruhet: “Italia të thërret” (varg i himnit).

Miqësorët kundër Venezuelës dhe Ekuadorit të planifikuara përkatësisht në datat 21 dhe 24 mars do të jenë jo vetëm një mundësi për të testuar gjendjen e ekipit nga Spalletti, kjo në kuadër të Kampionatit Evropian të futbollit të planifikuar në Gjermani, por edhe për të prezantuar uniformat e reja.