Çmimi i naftës në Shqipëri duket se nuk do të ndalë rritjen. Në Tiranë një litër naftë po shitet me 230 lekë, çmim ky i pa parë ndonjëherë në Shqipëri. Po ashtu edhe çmimi i benzinës është rritur në stratosferë ku vetëm brenda pak orëve është rritur me 8 lekë.  Nga 230 lekë që ishte mbrëmë litri i benzinës në darkë ka shkuar sot në mëngjes me 238 lekë.

Lufta Rusi-Ukrainë ka nisur të jap menjëherë efekte në tregjet tona, ku nuk shmangen as abuzimet.  Rritja e çmimit të hidrokarbureve u paralajmërua menjëherë edhe nga shoqatat e bizneseve të cilat pohuan se një konflikt i tillë, do të ulte sasitë e furnizimit me gaz të Evropës, e për pasojë do të shtrenjtohet edhe karburanti.

Por një rritje e tillë e menjëhershme nuk përjashton mundësinë e një abuzimi në treg, pasi kompanitë e hidrokarbureve ashtu si edhe të grurit e miellit, kanë rezerva të mjaftueshme për të mos rritur menjëherë çmimet e produkteve të tyre.

Autoriteti i Konkurrencës më herët ka deklaruar se ka nisur kontrollet dhe monitorimin e situatës për rritjen e çmimeve të karburanteve, por ende nuk ka një konkluzion se çfarë po ndodh dhe a është e justifikueshme kjo ‘çmenduri’ e shtrenjtimit të karburantit.