Fotolajm/Luan Rama:Gajdexhiu
ky njeri mund të isha edhe unë

Fotolajm/Luan Rama:Gajdexhiu<br />ky njeri mund të isha edhe unë
Po, mund të isha unë… një i ngjashëm si ai… Dëgjova gajden dhe ndalova. Një muzikë e trishtë që të çponte shpirtin. Sipër kokës time, sahati i madh i Tiranës, në krah të xhamisë Et’hem Bej, shtynte si me mërzi sekondat, orët, ditët, ndërsa poshtë tij, ulur mbi lulishten pranë sheshit të madh që nxitonte drejt modernitetit, ky njeri ishte harruar në këngën, në muzikën tij, në mjerimin e vet.

Nuk kërkonte lëmoshë. Kush të donte mund të jepte, por vështrimi i tij ishte i ftohtë, indiferent, i lodhur me botën që i rëndonte aq shumë mbi kurriz, dhe ai i binte gajdes sikur t’i binte për herë të fundit, me gulçimën e shpirtit dhe gjakun e trazuar në damarët e tij të kërcyer. Për kë? As ai nuk e dinte, madje ai kishte shuar gjithçka nga kujtesa. Përse të kujtonte, më mirë pa kujtesë, pasi kujtesa është dhimbje, një dhimbje e gjatë dhe e pafund…

Isha përballë tij, në këmbë, por as m’i hodhi sytë. Nuk kërkonte asgjë. Dhe unë i thashë vetes time: ky njeri mund të isha unë… dhe ai mund të ishte ky që jam, ardhur nga Parisi, pa problemet e ekzistencës. Dukej një hallexhi i madh aq sa dhe vështrimi i tij ishte flu, bota në flu, gjelbërimi në flu, njerëzit në flu… ç’nevojë për qartësi, për të parë të tjerët që shkojnë indiferentë dhe s’ndalen, pasi ai për ta është një i panjohur…

Sahati sipër dukej se kishte qëndruar në orën zero… kohë pa kohë, pasi ai s’kish më nevojë as për kohën as se në cilin shekull ishim, as se kishte filluar një mijëvjeçar i ri. Ai kishte patur shumë uri, por barku i tij më së fundi i kishte humbur të gjitha ndjesitë, shijet, kënaqësitë që mund t’i kishte provuar ndoshta veç fëmijë, në ditët e pafajësisë. Tani rëndësi kishte veç kjo këngë e fundit, kjo gajde që po i merrte dhe frymën që i kish mbetur, dhe ai e jepte pa ditur se po jepte frymën e tij të fundit.

Frynte bulçitë njëlloj si personazhet homerikë, dhe shpirti i plagosur por që s’ndjente asgjë, ndjehej indiferent nga fjalimet, debatet për demokracinë, fjalët e lirisë dhe të ardhmërisë. Këto fjalë ishin të huaja për të. Kishte kohë që i kishte dëgjuar. E vetmja gjë që i kishte mbetur tashmë ishte kjo gajde dhe kjo klithmë për të shuar helmin e vet, kjo muzikë që vinte rrëpirash prej qindra vjetësh dhe që tani shuhej në lëndinën demokrate të një kryeqyteti… Ky njeri mund të isha unë!

[gallery]21585[/gallery]

gajdexhiu

Redaksia Online
Al.N/Shaiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit