Kjo e martë nuk ishte një ditë e zakonshme për kryebashkiakun Veliaj. Teksa mbërriti në Bashkinë e Tiranës me biçikletën e tij, kryetari Veliaj u takua me dhjetëra studentë hollandezë, të cilët kanë ardhur të vizitojnë Tiranën këto ditë, dhe që kishin zgjedhur të shëtisnin në rrugët e kryeqytetit dhe në sheshin “Skënderbej” me dyrrotak.
Ata patën mundësi që të bashkëbisedojnë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rreth ndryshimeve që ka pësuar këto tre vite kryeqyteti dhe ëndrrës për krijimin e alternativave të reja të transportit të cilat janë miqësore me ambientin.
Bashkia e Tiranës ka treguar gatishmëri për të lehtësuar lëvizjen me biçikleta, duke ndërtuar korsi të dedikuara të pajisura dhe me panele mbrojtëse duke rritur sigurinë e udhëtimit të çiklistëve.
Ndërkohë, Bashkia ka planifikuar edhe ardhjen në Tiranë të 4 mijë biçikletave të cilat jo vetëm do të krijojnë lehtësi për transportin e qytetarëve, por njëkohësisht do të ndikojë ndjeshëm edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
( Studentët hollandezë duke shëtitur në rrugët e kryeqytetit me biçikleta duke i shoqëruar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj )