Situata tek Ministria e Brendshme, pasi turma e protestuesve u zhvendos nga Kryeministria për aty, u shoqërua nga tensione dhe incidente me policinë, pasi kordoni i forcave të rendit u godit nga një rrjetë metalike me të cilën u tentua të çahej rrethimi.


(Bledi Kasmi, kryeredaktor i RD, i lënduar në kokë pas përplasjes me policinë)

Në krye të grupit të protestuesve të dhunshëm ishte edhe kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi, i cili siç shihet në videon e Report TV, shtyn personalisht barrierën metalike drejt forcave të rendit, për të çarë atë.



Në këtë moment ai merr si kundërpërgjigje një goditje me shkop gome nga një efektiv i Forcave Speciale që ndërhyri për t'i sprapsur. Sipas videos një goditje tjetër ka marrë dhe një protestues i dytë.

Pra, Bledi Kasmi nuk ishte në krye të protestës si gazetar, por si protestues aktiv.

Ju protestuat si europianë, Rama është barbar. Policia iu përmbajt ligjit, por disa ngritën dorë ndaj protestuesve duke plagosur kryeredaktorin e PD, Bledi Kasmi. Përgjegjësinë për këtë e ka Edi Rama dhe Agron Fatmir Xhafaj. Asgjë nuk e ndal marshimin tonë për Shqipërinë si gjithë Europa. Këtro akte burracake tregojnë se orët e Ramës dhe Xhafës janë të numëruara. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Pas kryetarit të PD, Basha, Bledi Kasmi u vizitua edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

Të lënduar gjatë protestës kanë mbetur edhe 11 efektivë të Policisë së Shtetit si dhe tre protestues, të cilët po marrin dihmë mjekësore te Spitali i Traumës në kryeqytet. Efektivët u vizituan nga kryepolici Ardi Veliu, i cili shmangu komentet për mediat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
PD publikon videon: Momenti kur është goditur kryeredaktori i ‘RD’

TIRANE-Disa orë pas protestës së sotme të opozitës, PD ka publikuar një video nga momenti kur është lënduar kryeredaktori i ‘RD’ Bledi Kasmi. Ai shtyri drejt policëve një rrjetë metalike, ndërsa si kundërpërgjigje mori një goditje me shkop gome nga një efektiv i Forcave Speciale që ndërhyri për t'i sprapsur.

Versioni i PD përputhet me videon që transmetoi Report Tv. Edhe ne videon e transmetuar nga Partia demokratilke, Bledi Kasmi duket qartë se nuk ishte ne rolin e gazetarit, por në atë të protestuesit aktiv në tubimin e zhvilluar sot para Ministrisë së Brendshme.
Video e publikuar nga PD

Ora 14:10
Mori plagë në kokë, kryeredaktori i RD: Po mbrohesha, policia më goditi. Basha: Efektivët në shërbim të Xhafajt

“Po mbroheshim nga policia, kur jam goditur në kokë. Kam 10 qepje në kokë”. Kështu u shpreh kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi, nga Spitali Ushtarak, teksa u vizitua nga kryetari i PD, Lulzim Basha, pas lëndimeve që mori në kokë gjatë protestës së opozitës te Ministria e Brendshme.  

Kasmi ndodhet nën kujdesin e mjekëve te Trauma në kryeqytet. Ai ka thënë për mediat se ndodhej pranë protestuesve dhe kur ata janë përplasur me policinë, ai ka tentuar të mbrohet nga dhuna, sipas tij, e forcave të rendit.

Por nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Kasmi nuk duket aspak duke ushtruar detyrën e gazetarit. Ai është filmuar teksa shtyn me protestuesit, rrjetën e hekurit (e shkulur nga barrierat mbrojtëse të punimeve të Bashkisë në Bulevard) në drejtim të policisë, me qëllim çarjen e kordonit të forcave të rendit për të hyrë në Ministrinë e Brendshme.

Kanë qenë dy ose tre nga këta policët në mënyrë të pabesë, më kanë goditur, më goditën në fillim me shkop dy herë, por më pas një tjetër më ka goditur në kokë. Pata si ndjenjë të fikti, pastaj pas 10-15 minutave erdhi ambulanca. Kam dhjetë qepje në kokë. Por nuk është surprizë për derisa ministri vjen nga diktatura. Vokshi dhe Strazimiri më dha ndihmën e parë.

Bledi Kasmi, kryeredaktor i RD

I ashpër në fjalën e tij ishte Lulzim Basha i cili akuzoi policinë se është në shërbim të Fatmir Xhafajt. Sipas kryetarit të PD, Kasmi u dhunua në krye të detyrës dhe kjo tha ai e rëndon edhe më shumë pozitën e Fatmir Xhafajt, largimi i Xhafajt, shtoi Basha, është emergjencë kombëtare. 

Nuk pati asnjë akt dhune ndaj organeve të rendit, por u dhunua gazetari, kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi. Dhuna e ushtruar ndaj Bledi Kasmit, është tregues sesi policia vijon të jetë në shërbim të Xhafajt sa kohë Fatmir Xhafaj do jetë ministër i Brendshëm. Vëllezërit Xhafaj janë subjekt i ligjit antimafia. Çdo sekondë që Fatmir Xhafaj vijon të jetë ministër i brendshëm, qytetarët do keqtrajtohen, ndërsa kriminelët si Agron Xhafaj, do mbrohen. Largimi i Fatmir Xhafajt është emergjencë kombëtare. 

Lulzim Basha, kryetar i PD