Shqiptarja.com sjell fotot nga brenda dhe jashtë Château d'Auteuil, kështjellës në FrancëSPAK e ka identifikuar si një nga pasuritë e biznesmenit Ermal Beqiri dhe për të cilën ka kërkuar sekuestron në kuadër të hetimeve ndaj tij në çështjen AKSHI.

Në fotogaleri shfaqen ambientet e rezidencës prej 1200 metrash katrorë, e vendosur në komunën Berneuil-en-Bray, në Oise, rreth një orë larg Parisit. Pamjet tregojnë suitat luksoze, dhomat e gjumit me shtretër dopio, banjat spacioze me vaskë, sallat e pritjes me qilim, oxhak zjarri e shandanë, korridoret, mobilimin e stilit klasik, si edhe parkun dhe sipërfaqet e gjera të gjelbëruara që rrethojnë pronën luksoze.

Sipas të dhënave të siguruara nga Shqiptarja.com, Château d'Auteuil daton që nga shekulli XVI dhe fasadat e çatitë e saj gëzojnë statusin e monumentit historik të mbrojtur nga shteti francez. Mediat franceze që kanë raportuar rastin thonë se prona është shitur më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, vlerë që përputhet me atë të përmendur nga SPAK në kërkesën për sekuestrim.

Kështjella, me një vlerë rreth 2.6 milionë euro, është një nga asetet që autoritetet shqiptare kanë identifikuar në Francë gjatë hetimeve ndaj Beqirit. Sipas SPAK, në territorin francez janë zbuluar gjithashtu dy apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete motorike, për të cilat është kërkuar sekuestrimi në bashkëpunim me autoritetet franceze.

Ermal Beqiri, pronar i kompanisë "Soft & Solutions", ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion aktiv. Në Shqipëri, SPAK i ka sekuestruar më herët 10 pasuri, mes tyre truall në "Green Coast", një vilë në "Rolling Hills", një jaht, automjete, biznese dhe llogari bankare.

Beqiri u arrestua nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të tipit kaçiator në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly. Gjykata franceze ka vendosur ta mbajë në paraburgim në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, ndërsa SPAK ka nisur procedurat për sekuestrimin edhe të pasurive të identifikuara në Francë.