Tonin Vocaj ishte drejtor i Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda ishte i pari që foli për A1 REPORT!, ku në mënyrë kategorike mohoi njohjet me Arben Frroku dhe pohoi se në atë tavojinë ndodheshin rastësisht dhe ku publikisht dha dorëheqjen nga hetimi për vrasjen e Dritan Lamajt.


Kemi ndjekur një foto, ku ju, Kuliçaj dhe të tjerë zyrtarë të policisë shfaqeni në një foto, teksa darkoni me Arben Frrokun, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit dritan lamaj. Cili do të ishte reagimi juaj? E çfarë periudhe është kjo foto sipas jush?

Nuk mund t’ua them. Nuk e di.

A nuk mund ta thuash, apo nuk e dini?
Jo, nuk e di. Se përpara se ta publikoni këtë foto, ju duhet që të më kishit pyetur mua, meqë unë jam i shfaqur në këtë foto.

Jemi duke ju pyetur tani z.Vocaj…
Jo, jo, tani jeni duke e shfaqur foton se unë kam pasur shumë telefonata nga njerëz të ndryshëm, që më thonë që një foto e juaja ka dalë tek A1 Reporti.

Si është historia e kësaj fotoje që keni nxjerrë ju? A keni ndonjë shpjegim? Se unë do jua them se si është e vërteta. Ju mund të na e thoni, jemi në komunikim të drejtpërdrejtë.
Jo, jo, mund të ma thoni se si e keni marrë ju këtë foto.

Ne po ju lëmë hapësirat e duhura që ju të na tregoni rreth kësaj fotoje, dhe se ku është bërë kjo foto.
Atëherë po ju them se kjo foto është marrë nga fotot e fb-së së adresës time dhe n.q.s nuk gabohem unë, është bërë ose në vitin 2010 ose në vitin 2011. Pra dy vjet ose më tepër nga ky moment që po flasim dhe aktualisht kjo foto është në faqen time të fb-së dhe faqja ime është e hapur dhe kam foto pafund dhe mund të kontaktohet nga kushdo. Është e vërtetë që kemi qenë me z.Frrok dhe me një grup oficerësh të tjerë që kemi qenë në një drekë, në një restorant në Dajt. Rastësisht në këtë restorant ka qenë edhe z.Frroku, me të cilin jemi përshëndetur dhe kemi dalë edhe në fotografi me të.

Rastësisht apo ka qenë i ftuar nga ju?
Rastësisht. Nuk ka qenë pjesëtar i tavolinës sonë. Në këtë drekë ka qenë një grup zyrtarësh i Policisë së Shtetit dhe në lokal ka qenë dhe Frroku. Ai është takuar me ne. Unë personalisht e kam njohur z.Frrok, dhe vëllain e tij, Mark Frroku. Kjo është e vërteta e kësaj fotografie. Tani, meqë po i hyjmë një analize se ky është bërë një problem mjaft sensitiv, unë po ju them që në atë kohë nuk ka pasur asnjë konflikt të vëllezërve Frroku me asnjë zyrtar të Policisë së Shtetit. Dhe ne kemi dalë rastësisht në fotografi me të. Fotografia, jo për të nxjerrë z.Frrok, por për të ekspozuar një drekë që ne kemi qenë. Përveç kësaj fotografie janë edhe disa fotografi të tjera ku është z.Frrok. Kjo është e vërteta e të gjithë kësaj historie që ju po na e nxirrni sikur ne jemi të lidhur me z.Frrok ose më të tjerë.
Jo, ne shohim një foto ku shihet Arben Frroku, i cili është i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Dritan Lamajt, së bashku me ju, me z. Agron Kuliçaj, me z. Muhamet Rrumbullaku dhe po kërkojmë thjesht një shpjegim.

Kjo fotografi është e vitit 2010 ose e vitit 2011. Pasi të hap kompjuterin mund t’ju them datën e saktë se kur është bërë fotografia. Ne nuk kemi qenë në drekë me z. Frroku. Ai ka qenë në të njëjtin lokal me ne dhe jemi përshëndetur, sepse e njohim. Dhe meqë ma dhatë mundësinë për tu sqaruar: unë po ju deklaroj se jemi duke u marrë seriozisht me këtë hetim. Hetimin e udhëheqin prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë në dispozicion një grup specialistësh të Policisë së Shtetit, duke përfshirë drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe po bëhet çdo përpjekje. Kanë qenë përpjekjet tona që kanë bërë të mundur arrestimin e z.Frroku në Greqi. Kanë qenë përpjekjet tona dhe të një grupi të gjerë hetimor, që po punon për ta dokumentuar me prova përfshirjen e z.Frroku në ngjarje.

Ju jeni pjesë e hetimit z.Vocaj?
Jam pjesë e hetimit. Jam pjesë e grupit hetimor. Pas daljes së fotografisë do t’u kërkoj prokurorëve që të mos jem më pjesë e këtij grupi. Do të kërkoj që nga ky moment dhe do t’i nënshkruaj prokurorit të Krimeve të Rënda që të mos bëj pjesë në hetime. Unë jam Drejtori kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Kam 30 vjet që punoj. Kam dalë në fotografi me shumë njerëz. Kam një fb që nga vitit 2006. Mund të kem pa frikë rreth 2500 friends, mund të kem me qindra fotografi aty. Kjo insinuatë që ju keni bërë është shumë e gabuar. Keni bërë një insinuatë për të implikuar punonjësit e policisë si bashkëpunëtorë në vrasjen e kolegut tonë. Kjo është një insinuatë që unë personalisht do të mbaj qëndrime ligjore lidhur me këtë çështje. Unë nuk dua t’i bëj presionit askujt, por i keni pasur të gjitha mundësitë që ju të pyesnit paraprakisht meqë e keni zotëruar këtë foto se si është e vërteta.

Po ju pyesim z.Vocaj.
Jo, nuk keni pyetur. Ju keni bërë këtë gjë, që e keni shfaqur njëherë, ia keni servirur opinionit publik dhe e shfaqni sikur ne jemi bashkëpunëtorë të Frrokut në vrasjen e kolegut tonë. Kjo është e paprinciptë dhe e turpshme.

Z.Vocaj, ju deklaruat se do të hiqni dorë nga hetimi i kësaj çështjeje. Po pse pikërisht tani që u publikua kjo foto? Përse nuk e bëtë më parë këtë gjë?
Unë as nuk e kam menduar që jam në një fotografi me z.Frroku, megjithëse e kam vënë vetë këtë fotografi në fb-në time, dhe po ju them që nga ky moment do t’i bëj një kërkesë me shkrim drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që t’i kërkoj dorëheqjen nga grupi hetimor.

Po pse pikërisht tani?
Po sepse tani kam një konflikt me opinionin publik lidhur me këtë hetim. Sepse opinionin publik, personalisht për mua, është shumë i rëndësishëm. Një zyrtar i policisë duhet të jetë i pastër përpara opinionin publik në punën që bën. Dhe meqenëse unë kam një komprometim moral, përpara opinionit publik, do t’i kërkoj prokurorit që të më lirojë nga çdo lloj detyre hetimore që lidhet me këtë çështje.
Duke risjellë në kujtesë shqetësimet që mbarte kryekomisari Lamaj, se e kërcënonin, se jeta e tij ishte në rrezik, përse nuk u mbrojt z.Lamaj?
Këto janë çështje që nuk mund të diskutohen në një bisedë telefonike. Së dyti, nuk jam unë personi kompetent që duhet t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje.

Por ju e keni njohur z.Lamaj?
E kam njohur z.Lamaj, e kam pasur koleg, e kam pasur mik. Kam punuar në policinë e Tiranës drejtpërdrejt me z.Lamaj dhe ruaj respektin dhe konsideratën më të lartë për këtë njeri.

A ua ka shfaqur ai këto kërcënime që i vinin?
Jo, asnjëherë nuk më ka shfaqur shqetësime të kësaj natyre. E kam ditur konfliktin që z.Lamaj ka pasur me vëllezërit Frroku se u bë dhe mediatike dhe nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e ka ditur këtë konflikt. Megjithatë, në lidhje me pyetjen tuaj, duhet të kontaktoni me autoritete përkatëse në Policinë e Shtetit, që të japin përgjigje para jush dhe para opinionit publik.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 28 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)