SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga projekti i kandidatit të PS, Benet Becit për transformimin e qytetit të Shkodrës. Ky projekt përfshin krijimin e një parku multifunksional buzë Bunës, me një hapësirë prej 18 hektarësh, që do të përfshijë portin pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritjen e një muzeu.

Teksa ka publikuar foto e këtij projekti, Rama u bën thirrje shkodranëve që më 14 maj të votojnë për Partinë Socialiste dhe transformimin e Shkodrës. Kreu i qeverisë, thotë se një projekt i tillë do të vihet në jetë vetëm nëse hapet rruga e ndryshimit, duke i lënë kështu të nënkuptuar zgjedhësve që të votojnë për PS. Ky mesazh i Ramës, vjen vetëm një ditë pasi deklaroi se nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi mes qeverisë dhe kryebashkiakëve të non gratës që do të zgjidhen në 14 maj.

"Ky është një nga projektet strategjike për transformimin e Shkodrës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim 100% të Qeverisë Shqiptare, që pret prej disa kohësh të shohë dritën e rrugës së zbatimit, nëse dhe sapo hapet rruga e ndryshimit Projekti - vepër e arkitektit spanjoll Jesus Hernandez, autori i “qilimit të gurtë” të sheshit të Shirokës që u vlerësua edhe me çmim ndërkombëtar - përfshin krijimin e një parku multifunksional buzë Bunës, me një hapësirë prej 18 hektarësh; portin pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritjen e një muzeu që do të nxjerrë në pah për vizitorë e turistë historinë rrezatuese të Shkodrës në shekuj Ky projekt gjithashtu do të ketë impakt të lartë edhe në lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut në qytet, pasi parashikon zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi. KY ËSHTË NJË NGA PROJEKTET TRANSFORMUESE PËR SHKODRËN, FATI I TË CILËVE ËSHTË I LIDHUR FORT ME VULLNETIN E KOMUNITETIT SHKODRAN MË 14 MAJ", shkruan Rama. 

Projekti për transformimin e Shkodrës është vepër e arkitektit spanjoll Jesus Hernandez, autori i “qilimit të gurtë” të sheshit të Shirokës. Projekti është përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim 100% të Qeverisë. Po ashtu do të ketë edhe një rrugë për këmbësorët dhe biçikletat, si edhe një muze si tribut për të shkuarën e Shkodrës.

Ky projekt gjithashtu do të ketë impakt edhe në lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut në qytet, pasi përfshin edhe zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahcallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:45
‘Lundrimi mbi liqen dhe Bunë nuk është më vetëm një ëndërr’, Benet Beci shpalos idenë e portit tek Ura e Bunës

Kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës ka dhënë të tjera detaje sot në lidhje me projektin për ‘Hyrjen e Shkodrës, projektin e prezantuar dje, të cilit i bëri jehonë edhe Kryeministri Rama. Beci ka shkruar sot në Facebook për portin tek ‘Ura e Bunës’

“Për shekuj me radhë brigjet e Bunës në të dyja anët e lumit, në zonën ku tani  ndodhet ura  e Bunës, kanë qenë një zonë që priste dhjetëra anije duke ngarkuar e shkarkuar mallra apo peshk nga Buna e Liqeni.  Aty pranë kishte punishte për ndërtimin dhe riparimin e varkave, varka që ishin të famshme për format e tyre të bukura dhe siluetat plot stil.

Ndërtimi i portit dhe i muzeut të lundrimit krijon dy elemente të ndërthurura që sjellin në vëmendje një prej elementeve që e kanë bërë Shkodrën një qendër të rëndësishme ekonomike në rajon.

Porti ka një dimension 60 me 20 metra. Ka një platformë lundruese që krijon akses të kollajtë për në mjetet lundruese dhe lidhet me bregun me një urë këmbësore elegante.

Porti do të lejojë ankorimin dhe lundrimin e varkave dhe trageteve për në Shirokë dhe Zogaj (molet e të cilave po përfundojnë) dhe së shpejti edhe drejt moleve të tjera dhe portit të VirPazarit në pjesën malazeze të liqenit. Porti do të shërbejë  për udhëtimet për dhe nga lumi Buna pasi të kryhen studimet dhe ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë atë të lundrueshme.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me operatorët e interesuar turistikë, do të bëjë të mundur një linjë periodike lundrimi gjatë sezonit turistik nga Shkodra drejt Shirokës e Zogajt. Do të bëjmë çdo përpjekje për të pasur transport sa më ekologjik model në Liqen.  Kthimi i lundrimit mbi liqen dhe Bunë nuk është më vetëm një ëndërr”, shkruan në Facebook Benet Beci.