Policia franceze ka parandaluar 5 sulme të mundshme terroriste gjatë muajve të fundit. Lajmi bëhet me dije nga kryeministri i vendit Manuel Valls, sipas të cilit rasti më i fundit ishte parandalimi i sulmeve në kisha në një zonë jashtë Parisit. Kryeministri Valls tha se kërcënimi i vendit nuk ka qenë kurrë kaq i lartë, pasi kurrë më parë në historinë e Francës nuk ka patur një terrorizëm të tillë.

Në një intervistë për radion France Inter, kreu i qeverisë franceze deklaroi se 1,573 qytetarë ose banues në Francë janë të përfshirë në “grupet terroriste”, ndërsa 442 besohet se ndodhen në Siri. 97 prej tyre janë vrarë në Siri dhe Irak, përfshirë dhe 7 të cilët kanë kryer sulme kamikaze duke u vetëvrarë. Një i ri Algjerian u arrestua të dielën si i dyshuar për sulme terroriste, pasi kishte plagosur veten aksidentalisht.

Franca ndodhet në gjendje të lartë sigurie që prej sulmeve në zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo në janar dhe pas rrëmbimit e sulmit në një supermarket hebre, ku në total humbën jetën 17 persona.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)