Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca është kurorëzuar fituese pas një gare dramatike deri në pikën e fundit me Ukrainën.

Fituesja e madhe e këtij edicioni është këngëtarja franceze Lou Deleuze me këngën “Ce Monde”. Ajo arriti të triumfojë në një përballje që u cilësua si “fotofinish” për shkak të diferencës së ngushtë dhe garës së fortë me përfaqësuesen e Ukrainës.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, Kroni Pula, ka arritur një rezultat mjaft dinjitoz, duke e pozicionuar vendin tonë në vendin e 6-të mes 18 shteteve pjesëmarrëse. Me këngën “Fruta Perime”, Kroni dhuroi një performancë të shkëlqyer vokale dhe skenike, e cila u duartrokit gjatë në sallë, duke grumbulluar në total 145 pikë.

Votimi i këtij viti solli surpriza dhe mbështetje të gjerë për Shqipërinë. Një moment kulminant ishte vlerësimi maksimal nga vetë fituesi i festivalit; juria e Francës i dha Shqipërisë 12 pikë. 

Mbështetja për këngën shqiptare ishte masive edhe në votimin online. Nga votat e publikut që përfshinin votues nga 188 vende të ndryshme të botës, Shqipëria arriti të merrte plot 85 pikë, çka ishte vendimtare për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të tabelës përfundimtare.

Ky rezultat konfirmon edhe një herë talentin e artistëve të rinj shqiptarë në skenat ndërkombëtare.

Pikë të rëndësishme për Kroni Pulën erdhën gjithashtu nga juritë e:

•     Ukrainës

•     Holandës

•     Polonisë

•     Malit të Zi

•     Portugalisë

•     Spanjës

•     Gjeorgjisë