Franca, Gjermania dhe Polonia deklaratë të përbashkët: Të liberalizohen vizat e Kosovës! Të gjendet një marrëveshje me Serbinë
Përmes një deklarate të përbashkët, Franca, Gjermania dhe Polonia kanë bërë thirrje për progres sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave për Kosovën.
Përmes një deklarate të përbashkët, Franca, Gjermania dhe Polonia kanë bërë thirrje për progres sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave për Kosovën.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit.
Në deklaratë, vihet theksi tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thuhet se është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje mes tyre, pasi është e nevojshme për përparimin e rrugëtimit të tyre europian.
“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i lejon Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, vazhdon deklarata e përbashkët.
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë rënë dakord që të zhvillojnë një vizitë në Ballkanin Perëndimor. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me Bashkimin Europian.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:42
Gjermania, Franca dhe Polonia bën thirrje për liberalizimin e vizave, Kurti: E mirëpres përkushtimin e qartë të BE-së për zgjerim
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, të cilat bënë thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kurti thotë se ka mirëpritur riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Weimarit”, shkruan Kurti.