Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi masat e reja për leje gjashtë mujore për të dy prindërit. Vendimi i kreut francez erdhi në ditën kur Instituti Kombëtar i Statistikave, pasqyroi një rënie të mprehtë të lindshmërisë, më e ulëta që nga periudha e pasluftës (më pak se 700 mijë fëmijë të lindur në 2023).
Macron nënvizoi se lindshmëria “po bie, gjithashtu sepse infertiliteti mashkullor dhe femëror përparon, duke bërë që shumë burra dhe gra të vuajnë.” Ai gjithashtu njoftoi një “plan të madh kundër kësaj plage”.
“Pas zgjatjes së lejes së atësisë, besoj thellësisht se futja e një leje të re lindjeje mund të jetë një element i dobishëm i një strategjie të tillë” për rinisjen e lindjeve, raporton Reuters.
Pavarësisht krizave të tilla si lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ai u tha qindra gazetarëve francezë dhe ndërkombëtarë në sallën e Ballonit Elysee:
“Jam i bindur se ne kemi të gjitha cilësitë për të pasur sukses. Jam i bindur se historia jonë e përparimit nuk ka përfunduar dhe se fëmijët tanë do të jetojnë nesër më mirë se ne sot”.
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2023, lindjet ishin vetëm 678,000, një rënie prej 6,6% nga viti i kaluar, niveli më i ulët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Objektivi presidencial i një “France më të fortë” përfshin gjithashtu shkollat, ekonominë dhe sigurinë. Reformat do të kryhen në muajt e ardhshëm nga qeveria e re e Gabriel Attal.
Mes masave të shpallura për shkollat dhe të rinjtë, Macron po mendon për rregullimin e përdorimit të ekraneve për fëmijët, bazuar në një raport të ekspertëve të mbledhur javën e kaluar.
Ai kërkon të forcojë edhe mësimin e “edukatës qytetare” në shkollë, por edhe teatrit dhe historisë së artit.
Macron këmbënguli gjatë për sigurinë, luftën kundër islamit radikal dhe thellimin e procesit të integrimit të komunitetit.
“Një Evropë më e bashkuar dhe më sovrane është një element i domosdoshëm për të ardhmen e Francë", tha Macron, duke kujtuar rezultate të rëndësishme të arritura në nivel BE, siç është plani i rimëkëmbjes NextGenerationEu.