FRANCË – Kryeministri francez, Manuel Valls i ka paraqitur sot dorëheqjen presidentit François Hollande, dhe mori lejen për të formuar një qeveri të re. Shkak i këtij vendimi mendohet të jenë bërë mosmarrëveshjet mbi politikat ekonomike.

Një ditë më parë, qeveria u trondit rëndë, pas kritikave të ministrit të Ekonomisë Anaud Montebourg në lidhje me trajtimin e ekonomisë nga qeveria.

Vetëm pak momente pas dorëheqjes, Hollande lëshoi një deklaratë në të cilën theksohet se Valls i ishte kërkuar të formonte një qeveri të re ‘në përputhje me drejtimin që ai vetë kishte vendosur’ për drejtimin e vendit.

Megjithëse nuk janë dhënë arsyet, ky veprim erdhi pasi ministri i Ekonomisë, Montebourg kritikoi ashpër drejtimin ekonomik dhe aleatin e saj gjermaninë, një lëvizje kjo që zemëroi së tepërmi Valls.

Ndërsa ky i fundit nuk ka reaguar, ndihmësit e tij thanë të dielën se Mountebourg kishte kaluar çdo kufi.

Ministri i Ekonomisë, Montenbourg tha në një takim të socialistëve në Francën lindore se kishte ardhur koha për të bërë rezistencë ‘të drejtë e të arsyeshme’ ndaj atyre që ai i quajti fiksimeve të tepërta të konservatorëve gjermane.

Ndërsa, të shtunën, ai deklaroi për “Le Monde” se Gjermania ishte bllokuar në një politikë shtrënguese që ia impononte gjithë Europës, përfshirë këtu edhe Francën.
 
Zemërimi mendohet të ketë arritur kulmin kur Montenbourg i deklaroi për një radio franceze, pak përpara se Valls të njoftonte dorëheqjen, se ai nuk ndjente fare keqardhje për komentet e tij duke shtuar se ‘nuk është debat për autoritet, por për drejtimin ekonomik’.

Manuel Valls u mandatua kryeministër në muajin mars, pas një perfromance të dobët nga partia socialiste e Hollande.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)