Plot 1.3 ton kokainë të sekuestruara nga policia, janë sasia më e madhe e drogës së këtij lloji e kapur ndonjëherë në Francë. 

Një rrjet trafiku ndërkombëtar droge është goditur në qytetin e Bordo në fundjavë, ku janë kapur rreth 1.3 ton kokainë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 23 persona nga autoritet franceze, mes të cilëve janë 3 shqiptarë, 11 kolumbianë, 3 francezë, 5 italianë dhe një turk. Disa prej tyre, para arrestimit u takuan në një vilë pranë Bordosë për të marrë ngarkesën e drogës. 

Sipas hetimeve, grupe të ndryshme kriminale siguronin nga Franca sasi të mëdha droge, që sillej aty nga trafikantët amerikano-latinë. Kokaina vinte në Francë nga Kolumbia dhe nga aty shpërndahej nga grupet e trafikut në të gjithë Europën

droga

Vlera e drogës në treg 39 mln euro
Kokaina e sekuestruar në Bordo të Francës, ishte fshehur në valixhe dhe çanta sportive. Sasia prej 1.3 ton drogë, duke përllogaritur se 1 kg shitet 30.000 euro, do të gjeneronte plot 39 milionë euro për trafikantët. Siç raporton televizioni francez “BFM TV”, janë sekuestruar gjithashtu edhe 7 automjete dhe qindra-mijëra euro (para cash).

Burrat e arrestuar dyshohet se janë, ose punojnë për grosistët e mëdhenj të drogës në Europë. Hetimet tregojnë se ata ishin në gjendje të siguronin qindra kilogramë kokainë për të furnizuar tregjet franceze, italiane, spanjolle, angleze e shteteve të tjera të Europës Perëndimore. Për të goditur këtë rrjet kriminal, autoritet franceze kanë bashkëpunuar me DEA-n amerikane, autoritet spanjolle dhe ato kolumbiane.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com