Presidenti i Francës Emmanuel Macron, ka njoftuar futjen e një shërbimi të ri ushtarak vullnetar duke filluar nga vera e vitit 2026, për “tu mbrojtur përballë kërcënimeve në rritje, për të përgatitur kombin dhe forcën e tij morale”.
Në fjalimin e tij para Brigadës së 27-të të Këmbësorisë Malore në Varces, në Alpe, Macron theksoi se “frika nuk e parandalon kurrë rrezikun. I vetmi mënyrë për ta shmangur atë është përgatitja”. Shërbimi i drejtohet të rinjve 18 dhe 19 vjeç, zgjat 10 muaj dhe do të zhvillohet “ekskluzivisht në territorin kombëtar”.
“Ai do të përfshijë 3.000 persona në verën e vitit 2026, për të arritur objektivin e 10.000 pjesëmarrësve në vitin 2030 dhe 50.000 në vit në vitin 2035”, deklaroi kreu i shtetit gjatë një udhëtimi në Alpe, duke shtuar se “të rinjtë tanë kanë etje për angazhim” dhe janë “gati të luftojnë për atdheun”.
Duke justifikuar këtë vendim, Macron tha se “i vetmi mënyrë” për të shmangur “rrezikun” është “përgatitja”, në vend që të ushqehet “frika”, në kontekstin e kërcënimit rus:
“Në këtë botë të pasigurt, ku forca mbizotëron mbi të drejtën dhe lufta është realitet i përditshëm, kombi ynë nuk ka të drejtë t’i dorëzohet frikës, panikut, papërgatitjes apo përçarjes”.
Shefi i Elizesë njoftoi 6,5 miliardë euro (7,6 miliardë dollarë) shpenzime shtesë ushtarake për dy vitet e ardhshme. Ai deklaroi se Franca do të synojë të shpenzojë 64 miliardë euro në vit për mbrojtjen në vitin 2027, vit i fundit i mandatit të tij të dytë—gati dyfishi i 32 miliardë eurove që shpenzoheshin kur ai u bë president në vitin 2017. Ushtria franceze aktualisht numëron rreth 200.000 ushtarë aktivë dhe mbi 40.000 rezervistë, duke e bërë të dytën më të madhe në Bashkimin Evropian pas asaj polake.
Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Fabien Mandon, javën e kaluar lëshoi një paralajmërim se vendi duhet të përgatitet të “humbasë bijtë e vet” në rast të një konflikti të mundshëm me Rusinë—fjalë që shkaktuan protesta në të gjithë spektrin politik.
Në janar, presidenti kishte njoftuar synimin e tij për të “mundësuar që të rinjtë vullnetarë të mësojnë përkrah forcave të armatosura dhe, nëse është e nevojshme, t’i forcojnë radhët e tyre”. Megjithatë, ai nuk shkoi deri tek rikthimi i detyrueshëm i shërbimit ushtarak, i cili u hoq në Francë në vitin 1997.
Që prej atëherë, qeveria dhe krerët e ushtrisë kanë punuar për mënyrat më të mira për t’i siguruar forcave të armatosura “personel shtesë”, me qëllim “krijimin e një rezerve që mund të mobilizohet në rast krize”, sipas rishikimit strategjik të publikuar më 14 korrik.
Sipas burimeve të pakonfirmuara të shtypit, kohëzgjatja e parashikuar e shërbimit do të ishte dhjetë muaj dhe pjesëmarrësit do të paguhen.
/La Repubblica
Komente









