PARIS,19 mars /ATSH-AFP/ - Franca, Gjermania, Polonia dhe Italia i kërkuan sot në një deklaratë të përbashkët Komisionit Evropian të reagonte menjëherë për aplikimin e përqindjeve të reduktuara të TVSH-së për të gjithë librat, duke përfshirë dhe ata elektronikë.
"I kërkojmë Komisionit Europian të propozojë menjëherë një ndryshim të legjislacionit evropian për të muandësuar aplikimin e përqindjes së reduktuar të TVSH-së për të gjithë librat, qofshin materiale apo jo-materiale", theksojnë ministrat e Kulturës të katër vendeve.
Kjo deklaratë u bë publike në Paris në prag të hapjes së Panairit vjetor të Librit, ndërkohë që drejtuesit e BE-së janë mbledhur në samitin e Brukselit.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendosi më 5 mars që Franca nuk mund të vazhdonte të aplikonte përqindjen e reduktuar të TVSH-së  për librat elektronikë dhe se duhet të aplikonte përqindje normale, pra 20 për qind.
"Librat luajnë një rol vendimtar në mbështetje të diversitetit kulturor, një prej avantzheve më të mëdha të Evropës dhe riforcojnë ndjenjën e qytetarisë evropiane", nënvizojnë ata.
"Promovimi i leximit dhe i letërsisë duhet të jetë në qendër të politikave tona kulturore", theksuan drejtuesit e ketyre katër vendeve.
/m.l/ /ec/