FRANCE - Kryeministri francez Jean-Marc Ayrault ka dhënë dorëheqjen pas rezultatit të dobët të arritur nga Partia e tij Socialiste gjatë zgjedhjeve vendore në Francë.
 
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pritet që presidenti Francois Hollande të emërojë Ministrin e Brendshëm Manuel Valls si kryeministër të ri të vendit. Lajmërimi pritet të bëhet gjatë pasdites të ditës së sotme.
 
Në zgjedhjet e së dielës partia e qëndrës së djathtë Unioni për një Lëvizje Popullore fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve vendore në Francë, duke konfirmuar disfatën e socialistëve. Të paktën 140 qytete të cilat drejtoheshin nga të majtët kaluan nën qeverisjen e UMP, duke ndëshkuar kështu Partinë Socialiste të presidentit Francois Hollande.
 
I vetmi ngushëllim për socialistët është Anne Hidalgo e cila është femra e parë kryebashkiake e Parisit, duke mundur sfiduesen e partisë UMP, Natalie Kosciusko-Morizet, me 54,5% të votave. Hidalgo do u japë mundësi socialistëve të mbajnë për 6 vite të tjerë karrigen e Bashkisë së kryeqytetit. E djathta franceze, ka arritur të fitojë zgjedhjet me 45,91% të votave, kundrejt 40,57 të së majtës.
 
Anne Hidalgo
(Në foto socialistja Anne Hidalgo femra e parë kryebashkiake e Parisit)

Ndërkohë rezultatet e para tregojnë se ekstremistët e djathtë të Frontit Kombëtar me në krye Marine Le Pen ka arritur të fitojë në 11 qytete në të gjithë vendin, një rekord historik për këtë parti e cila më parë ka arritur të fitojë në vetëm 4 qytete në fund të viteve ‘90.
 
Mediat ndërkombëtare e quajnë një humbje të thellë të qeverisë franceze, duke humbur në 155 qytete. Zgjedhjet e datës 30 mars, ishin konsideruar një referendum mbi presidentin François Hollande, pas dy viteve të parë të qëndrimit të tij në Presidencë.

Redaksia Online
(e.s/e.c/shqiptarja.com)