/ATSH-AFP/ - Themeluesi i partisë franceze të ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar, Jean-Marie Le Pen, i cili pas një mosmarrëveshjeje me të bijën, në krye të partisë, Marine Le Pen, njoftoi sot se do të hiqte dorë nga kandidimi në zgjedhjet rajonale duke kërkuar që mbesa të merrte vendin e tij.
"Personi më i përshtatshëm për të zënë vendin tim në listën e kandidaturave do të ishte mbesa Marion Marechal-Le Pen, nëse do të pranonte t'i hynte një loje të tillë", deklaroi ai.
Për Figaro Magazine, që e pyet nëse do të jetë kandidat në zgjedhjet rajonale në muajin dhjetor në juglindje të Francës, Le Pen, 89 vjeç dhe kërcënuar për t'u privuar nga zgjedhja si kandidat i partisë u përgjigj: "Jo, edhe pse mendoj se do të isha kandidati më i mirë për Frontin Kombëtar".
Presidentja e Frontit Nacional, Marine Le Pen kërkoi disa ditë më parë përjashtimin e babait të saj, Jean-Marie Le Pen, 86 vjeç, i cili është dhe themeluesi i grupimit të së djathtës ekstreme.
Origjinë e konfliktit mes tij dhe Marine Le Penit është përsëritja, nga ana e babait, të deklaratave lidhur me dhomat e gazit, për të cilat ai është dënuar si edhe ruajtjen e kujtimit të mareshalit Philippe Petain, ish-Kryetar i Shtetit francez dhe artizan i bashkëpunimit me Gjermaninë naziste gjatë pushtimit të Francës në Luftën e Dytë Botërore.
Jean-Marie Le Pen u shpreh më pas se vajza e tij, Marina, kryetarja aktuale e lëvizjes, ishte duke e hedhur në erë grupimin e saj politik me kërkesën për përjashtimin e tij.
Që prej disa ditësh ka filluar një luftë e hapur mes presidentit të nderit të FN-së, Jean-Marie Le Pen dhe vajzës së tij, Marine pas deklaratave të fundit të themeluesit të cilësuara si "provokuese" dhe "vetëvrasje politike" nga kjo e fundit.

"Marine Le Pen është duke e hedhur në erë grupimin e saj. Jo unë, por është vetë ajo që po bën vetëvrasje, është ajo që po vepron kundër interesit të saj", reagoi në radion RTL oratori i ekstremit të djathtë./