Pas 17 vite nga vdekja e legjendës së muzikës pop, Michael Jackson, mosmarrëveshjet për pasurinë e tij vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Këtë herë, në një përplasje ligjore janë përfshirë vajza e tij, Paris Jackson, dhe administratorët e pasurisë së këngëtarit.
Paris kërkon që 600 milionë dollarë të transferohen në një fond familjar, në përfitim të saj dhe dy vëllezërve, Prince dhe Bigi Jackson. Ajo pretendon se fondi i krijuar për fëmijët nuk është financuar ende siç duhet, pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme që pasuria e të atit ka gjeneruar ndër vite nga muzika dhe marrëveshjet tregtare.
Nga ana tjetër, administratorët e pasurisë i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta akuzat se fëmijëve u janë mohuar pagesat. Sipas tyre, më shumë se 200 milionë dollarë janë shpërndarë tashmë në përfitim të tre fëmijëve të këngëtarit.
Një tjetër çështje që ka ndikuar në administrimin e pasurisë është edhe mosmarrëveshja me autoritetet tatimore amerikane, të cilat kanë pretenduar një detyrim prej rreth 700 milionë dollarësh, përfshirë taksa dhe penalitete. Përfaqësuesit e pasurisë kanë deklaruar se kanë arritur të sigurojnë një vendim që e ul ndjeshëm këtë shumë, megjithëse çështja ende nuk është mbyllur përfundimisht.
Ndërkohë përplasja pritet të rikthehet në gjykatë më 4 dhjetor, kur do të shqyrtohet kërkesa e Paris Jackson.










Komente
Komento