Shenja e parë që Papa Francesku do të ishte ndryshe nga parardhësit e tij, ishte vetem pak minuta pasi u zgjodh në krye të Kishës Katolike. Me të dalë në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, marsin e kaluar, 76 vjecari mbante veshjen e tij të thjeshtë e të bardhë, duke evituar rrobën e mëndafshtë që sjell me vete detyra e Atit të Shenjtë.

Modestia e atyre e casteve ishte një parathënie për atë që papa I parë latino amerikan do të sillte në krye të Kishës Katolike. Kur ishte peshkop në vendlindjen e tij në Argjentinë, Bergolio vizitonte lagjet e varfra, shkonte në punë me autobus dhe I gatuante vetë vaktet e tij. Kështu edhe pasi u zgjodh Papë, ai vendosi të refuzojë shumë prej lukseve që sillte posti I Atit të shenjtë, duke preferuar një shtëpi të thjeshtë në Vatikan në vend të Pallatit Apostolik. Shumë prej këtyre do të ishin të mjaftueshme për ta dalluar atë nga paradhësit e tjerë si një prej papëve më të përulur në historinë moderne. Por Francesku e ka dalluar veten në mënyrë edhe më radikale për mënyrën se si u afrohet njerëzve, vecanërisht grupeve deri dje të margjinalizuara edhe nga Kisha Katolike, si homoseksualët dhe ateistët.

Edhe vetë gjuha e fjalimeve të tij në publik, e dallojnë shumë këtë papë vecanërisht nga paraardhësi I tij, Benedikti I 16-të, dhe për shumë ekspertë ai tashmë ka ndryshuar edhe diplomacinë e Vatikanit. Papa ka udhëtuar jashtë dhe destinacionet e përzgjedhura prej tij tregojnë prioritetet e Franceskos: vëmendje ndaj rrethinave, afërsi me situatat e vështira edhe kur ato zhduken nga vëmendja ndërkombëtare. Përvec vizitës në Rio de Janeiro me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, Francesku nuk ka zgjedhur asnjëherë qytete të mëdha e magjepsëse për të vizituar. Ndalesa e tij në Azi ku vizitoi Korenë e Jugut, Sri Lankën dhe Filipinet e madje edhe përzgjedhja e Shqipërisë si ndalesa e parë në turin e tij europian e tregojnë më së miri këtë. Këto nuk janë destinacione që zgjedh një njeri që kërkon të fitojë influencë ndërkombëtare, ndaj Papa Francesku po e drejton qendrën e vëmendjes drejt qyteteve dhe vendeve që kanë nevojë për publicitet.

Ai po përdor udhëtimet e tij jashtë Vatikanit duke shfrytëzuar influencën ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë për të tërhequr vëmendjen ndaj zonave më problematike të botës, për të tërhequr interesin public drejt tyre. Për shumë, Francesku po përdor Diplomacinë e të pamundurës, sic ndodhi me vizitën e tij në Tokën e shenjtë me dy xheste që askush nuk I priste, lutja në murin e sigurisë që ndan komunitetet palestineze dhe ftesa për presidentët palestinezë e izraelitë që të luten sëbashku në Vatikan, cka më pas ndodhi (ose të paktën dy liderët erdhën e vizituan në Selinë e Shenjtë). E tillë ishte edhe deklarata e pak ditëve më parë, dhe tepër e fuqishme kur Papa Francesku I tha një grupi liderësh hebrenj se pas tyre tani është radha e të krishterëve ndërsa fliste për persekutimin dhe vrasjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Ati I Shenjtë krahasoi holokaustin e hebrenjve me persekutimin që ISIS po I bën të krishterëve në Irak e Siri.

Po kështu pak ditë më parë, ndërsa vizitonte memorialin më të madh të luftës në very të Italisë, ku prehen mbi 100 mijë ushtarë që u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore, Papa tha se vërshimi I konflikteve të fundit në mbarë globin janë në fakt copëza të Luftës së Tretë Botërore.  “Lufta është cmenduri, është irracionale, dhe ka vetëm një plan të mbjellë shkatërrim”-ishin fjalët e Atit të Shenjtë ndërsa foli për krime, masakra e shkatërrim. Po kështu vizitën e tij 5 ditore në Korenë e Jugut, Papa e përfundoi me të njëjtin mesazh që dha sapo zbriti nga avioni, një thirrje për bashkimin e gadishullit Korean duke apeluar për falje e pajtim, ndërsa nuk harroi të vendoste edhe një shirit të verdhë gjatë meshës në shenjë respekti ndaj 300 viktimave të anijes koreane që u mbyt në 16 prill apo të nderonte martirët e shekullit të 18-të, cka ekzaltoi turrmat e njerëzve.

Ekspertët argumentojnë se Papa bazohet më shumë tek xhestet e thjeshta se sa diplomacia e një politike të kujdesshme. Por kjo nuk do të thotë se Papa Francesku injoron vlerat e diplomacisë, ai thjesht përdor një qasje tjetër ose të ndryshme për të prekur mendjet e zemrat e njerëzve në të njëjtën kohë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)