Sot hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026, e cila parashikon një fond prej 5.2 miliardë lekësh që përkthehen në 12 masa dhe investime. Në konferencën për shtyp, ministri Andis Salla tha se deri më tani ka rreth 5 mijë aplikime, të cilat kryhen përmes platformës e-Albania.
“Para se të vija këtu mora një shifër dhe deri tani ka 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes”, tha Salla.
Modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor është fuqizuar në 26 bashki dhe përfshihen 334 fermerët e parë.
“26 bashkitë e para janë modele bashkëpunimi ku përfshihen 334 fermerët e parë dhe po punojmë me bashkitë e tjera. Bashkë me numrin total janë 58 SHBB të përbashkëta”, tha Salla.
Një nga qëllimet kryesore të dëgjesave ishte hartimi i një skeme të qëndrueshme, tha Salla, duke shmangur ndryshimet e menjëhershme.
“Kemi bërë një skemë të qëndrueshme në mënyrë që të paraqiteshim siç duhet. Kjo skemë është e dakordësuar dhe nuk kemi më ndryshime në vitet që do të vijnë. Vetëm nëse do të kemi ndryshime në aspektin financiar, do të shikojmë herë pas here ndryshime”, u shpreh ministri.
Skema parashikon mbështetje për prodhimin vendas duke përfshirë fermerët e gjedhëve, bagëtive të imta, bletarët, kontrollet biologjike etj, si dhe ndihmë ndaj fermerëve të rinj, ndërtim stanesh dhe pajisje e makineri bujqësore.
Me skemën e re është përgjysmuar numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor për të përfituar. 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.
Për herë të parë financimi do ketë edhe për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Por, skema heq naftën pa taksa. Fermerët nuk do të përfitojnë më naftë me çmim të reduktuar, pasi Ministria e Bujqësisë vlerësoi se kjo skemë nuk ka funksionuar plotësisht, dhe ka pasur abuzime.
Lajm në përditësim...
Dëmshpërblimet për fermerët e dëmtuar do të vijojnë, njoftoi ministri Andis Salla. Lidhur me eksportin e prodhimeve bujqëore, ai tha se ecën me ritmin e vitit 2025 e madje është duke u kaluar.
“Qeveria nuk është tërhequr, do të vazhdojmë me procedurat e dëmshpërblimeve të fermerëve. Në aspektin e eksporteve, kemi pasur mundësi përafrimi të të gjithë procesit. Prodhimi tani ka dalë në treg, ne po e kalojmë vitin e kaluar. Prodhimi është në sasinë më të madhe që kemi në territor, jemi duke eksportuar dhe kemi kapur të gjitha ato mundësi, shifra sepse janë rritur edhe faturimet. Jemi në prodhim shumë të mirë këtë vit. Do ta tregojmë në 6-mujorin e parë kur të vëmë në dispozicion të gjitha faturat e para mes Ministrisë dhe fermerëve”, tha Salla.
Edhe disa prej subjekteve që nuk kanë marrë dëmshpërblimet e Skemës së Investimeve, do të vijojë kompensimi.
“Ka pasur diskutim për 22 subjektet që janë referuar disa vonesa, nuk kanë dalë nga skema, janë pjesë e përfitimit të vitit 2025. Me udhëzimin e ri kemi vendosur të jenë edhe për 22 subjektet të jenë pjesë e përfitimit. Brenda pak ditësh, edhe procedurat e tyre janë të përfshira në buxhet”, tha Salla.
Komente










