TIRANE- Nën drejtimin e ish Presidentit Bamir Topi, Fryma e Re Demokratike nis rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 2013 me synime, identitet dhe vizion të qartë për shtetin dhe qytetarët dhe një ekip shumë të fortë.

"Përjashtojmë në mënyrë absolute, megjithëse në politikë thuhet kurrë mos thuaj kurrë, por nga sa kemi diskutuar, që në zgjedhjet e vitit 2013 ne nuk bëjmë koalicion me asnjë nga partitë e vjetra të tranzicionit , as me PD e as me PS "- deklaroi Bamir Topi i cili sot mori zyrtarisht drejtimin e partisë më të re të qendrës së djathtë.

“Ajo çka na dallon dhe e bën indetitetin më të plotë është vizioni ynë për shtetin e qytetarit FRD nuk kërkon as nuk synon pushtetin. Ne refuzojmë dhe nuk do pranojmë për asnjë arsye marrëveshje individuale apo politike të ndërtuara mbi baza amorale e antikushtetuese. Ndahemi nga dy partitë e tranzicionit sepse ata janë dhe mbeten përgjjegjëset kryesore të tranzicionit. Ata përjashtuan qytetarët nga vendimmarrja. Ndryshe nga këta refuzojmë të humbasim vlerat.  Nuk i urrejmë kundërshtatrët politikë dhe nuk mohojmë arritjet pozitive të së kaluarës por nuk pajtohemi me ato parti të cilat luksi i pushtetit të pakufishëm mbetet synim i përjetshëm” - nënvizoi Topi.

“Oferta jonë është konkrete dhe në ditët e javët në vijim do të jetë prezente tek cdo qytetar. Për nevojat urgjente të qeverisjes së vendit, sesi demokracia të bëhet më cilësuese dhe sovraniteti të ushtrohet më drejtë, standardet e demokracisë të bëhen të krahasueshme me ato evropian. Kontroll më të madh të qytetarëve mbi sistemet politik. Shqipëria nuk mund të trajtohet pa zot e këmbyeshme me një euro apo që shesin detin sipas orekseve”- tha Topi

Deputeti Gazmend Oketa informoi për vendimi që Komisioni nismëtar i FRD mori më 4 shtator. Topi do të mbajë këtë post deri në mbledhjen e  Kongresit të kësaj partie që do të mbahet në tetor.

"Cmoj e vlerësoj këtë ftesë si shans e mundësi për të nisur përpara punën e nisur nga një grup politikanësh e intelektualësh të rinj të cilët i janë bashkuar qindra shqiptarë."- tha Topi duke shtuar se kjo "është sfida ime personale".

KU DO AKOMODOHET TOPI

Ish-presidenti do të akomodohet në zyrën e tij në katin e tretë të selisë së FRD, pikërisht në zyrën që ka mbajtur deri më tani kryetari i komisionit nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa.  Burimet brenda kësaj partie saktësojnë se Bamir Topi është ish-presidenti i vendit dhe do të jetë pikërisht në zyrën më të mirë, atë të drejtuesit të partisë, pasi pritet të jetë drejtuesi jo vetëm i FRD por dhe i të djathtës shqiptare, në rrugën e saj të rilindjes, pas daljes jashtë loje sipas tyre dhe uzurpimit nga ana e Berishës.

Ndërkohë që Oketa pritet të dalë në një zyrë tjetër, afër asaj të Topit, duke treguar qartë se ata do të jenë drejtuesit kryesore të FRD, bashkë me Biberajn. Ndërkohë që dy janë alternativat për ish-kreun e shtetit: Ose anëtar i komisionit nismëtar, ose kryetar i këtij komisioni. Por akomodimi i Topit në zyrën e kreut të Komisionit Nismëtar të FRD, Gazmend Oketa të bën të mendosh se ai do të jetë dhe drejtuesi i partisë deri në kongres ku pritet të zgjidhet nga kongresi me kompetenca të plota në këtë post, të cilin sipas statutit të partisë, që aplikohet për herë të parë në politikën shqiptare do të ketë mundësinë e rizgjedhjes vetëm njëherë. Takimi i parë zyrtar i Topit me themeluesit e FRD-së erdhi më 3 gusht, dhjetë ditë pasi ai la zyrën e kreut të shtetit.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)