Frederik Stamati: 2300 relike
armatimesh degradojnë

Frederik Stamati: 2300 relike <br />armatimesh degradojnë
TIRANE - Disa quhen jataganë, disa palcore, harbi, pisqolla, etj. Ruajnë shenjat e historisë, të aristokracisë arbëreshe dhe shqiptare më vonë. I kanë mbajtur për dekorime dhe disa për qëllime lufte e disa për të dyja funksionet. Disa prej këtyre armëve janë të prodhuara në qendrën e Perandorisë Osmane. Disa janë të lara në ar e argjend nga dora e artizanëve shqiptarë. Janë pikërisht ato për të cilat biseduam me restauruesin Frederik Stamati në ekspozitën e çelur në Muzeun Arkeologjik në Tiranë. Armët janë ekspozuar së bashku me objektet e mirëmbajtjes dhe këllëfët dhe me disa objekte të tjera etnografike, shumica e të cilave janë dekoruar me filigrame ari dhe argjendi. Por... në ç’gjendje janë sidomos reliket e armatimeve sot. Sa kujdes ka shteti dhe ç’po ndodh me to. Restauratori Frederik Stamati, të cilin për fat të keq e shohim si të vetmin person të shqetësuar për restaurimin e objekteve muzeore në Shqipëri nuk mund të jetë i qetë për gjendjen aktuale të armatimeve muzeore. Asnjëherë ai nuk ka qenë i qetë, edhe në vite ‘70 kur nisi punën. Tregon se në atë kohë me rastin e ekspozitës “Arti shqiptar në shekuj” i kërkuan drejtorit restaurues nga jashtë, por shteti nuk ua vuri veshin dhe përfunduan duke i pastruar me gjalpë dhe smeril...

Zoti Stamati, Muzeu Arkeologjik ka ekspozuar edhe disa armë që janë të restauruara nga dora juaj? Kjo arma me gurë, çfarë është dhe cilës periudhë i përket?

Ky është jatagan i zbukuruar me gurë merxhani. Është një armatim i futur nga jeniçerët në Arbëri dhe sidomos në Ballkan. Në këtë rast që kemi këtu është një jatagan me bisht dallëndysheje të hapur, i punuar me filigram dhe është i larë në ar. Ky lloj zbukurimi ndeshet në të gjithë perandorinë. Jatagan vjen nga turqishtja që do të thotë diçka e drejtë shumëpërdorimshe. Jatagani është i drejtë dhe efikas në përdorim. Këllëfi i këtij jatagani ka dëmtime. Është futur në arkiv në vitin 1978. Këtë tregon numri i inventarit. Nuk dihet datimi historik.

Rozetat e gdhendura në argjend çfarë tregojnë?
Punimet në atë kohë bëheshin në argjend nga mjeshtër shumë të zot. Më pas ka arritur industria t’i prodhojë, por nuk e kanë kurrë këtë bukuri që kanë këto punime origjinale. Janë punime luksi ta lara me ar. Kur janë punuar në mënyrë artizanale shtresa e arit është shumë e trashë dhe dekorimet fine. Jo të gjitha armët kanë qenë luftarake. Shumica duheshin për të përballuar zjarrin e luftës, por nuk ka munguar arti i aplikuar që bëhej qoftë për armët e ftohta, qoftë për armët e zjarrit. Shumica e armëve ishin ceremoniale, dhe mjaft zbukurime bëheshin për të treguar klasën aristokrate. Për mua më interesante është kjo arma që quhet pafta. Është e larë në ar e argjend. Këtij lloji i janë gjetur negativët që tregojnë se derdheshin në vendin tonë dhe zbukurimet nuk janë importuar. Me derdhje ne ar dhe argjend bëhej punimi artizanal i sipërfaqes dhe pastaj tyta dhe qarku mund të ishin të blera nga jashtë.

Ka motive enografike shqiptare që vërtetojnë këtë?
Vërtetohen që paftet janë të derdhura në seri në vendin tonë. Kemi gjetur negativat dhe tre copë të papërfunduara. Janë të shekullit të 19-të. Janë armë ceremoniale dhe të bëra me shumë art dhe stil. Kemi edhe tipa të ngjashme të shekullit të 18-të si dhe dyfekë të shekullit të 18-të të karakterit luftarak. Këtu janë ekspozuar 7 armë, por ka me mijëra.

Me mijëra? Ku mbahen dhe në ç’gjendje janë. Sa vite keni që merreni me restaurimin e armëve?

Kam filluar të restaurojë për herë të parë në vitin 1974 ku po përgatisnim ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj” në Paris. Atëherë s’kishim shumë kohë që restauronim dhe nuk dinim çfarë të bënim. Arriti një moment që i bëmë një letër drejtorit dhe i thamë bjerë njerëz nga jashtë se s’po dimë çfarë të bëjmë. Ai nuk solli njerëz nga jashtë dhe ne u detyruam t’i restauronim me gjalp dhe smeril që t’u hiqnim ndryshkun. Më vonë u lidhëm me Muzeun Historik dhe u bë një punë më e mirë edhe në grumbullimin e tyre. Gjithmonë numri i armëve të mbledhura ka qenë në rritje e sipër dhe kujdesi ynë ishte t’i ruanin së paku gjendjen ekzistuese. Restaurimi do shumë eksperiencë. Sidomos shpatat, nuk është aq e lehtë të bëhen. Unë edhe pse kam punuar shumë me restaurime, vetëm në 2005-ën mendova se kisha tamam atë eksperiencë për të trajtuar armët e ftohta, gjendja e të cilave bëhej alarmante dhe rrezikoheshin nga ndryshku. Fillova punën me shpatat. Ato kanë gjurmët e kohës, shenjat njerëzore që duhen ruajtur. Ka armë të tjera që kanë vlerë, por janë të parestauruara. Ka në Tiranë, ka nëpër muzetë e tjera të rretheve. Shqipëria mund të ketë gjithsej 2300 relike armatimesh, por gjendja e tyre është mjaft e rëndë. Ato rrezikojnë degradimin dhe duhet një punë restauruese që t’i çojë në këtë nivel si këto armë të ekspozuara.

Ka rrëmbime ose shitje armësh antike nga muzetë?
Kanë ndodhur grabitje nga kjo pasuri. Për këtë duhet pyetur tek qendra e inventarizimit. Për sa i përket muzeve edhe janë vjedhur, janë shitur jashtë dhe kjo është për të ardhur keq.

Çfarë ju duhet ju si restaurues që të shpëtoni armët në rrezik?
Unë e kam ngritur këtë problem. Duhet një laborator i specializuar për armët dhe që të jetë i pajisur me të gjitha gjërat që duhen për këtë punë, të ketë personelin e aftë që se është punë e vështirë. Një laborator do të mjaftonte për të trajtuar armët që ka gjithë muzeologjia në Shqipëri.

Ju flisni për personel, por prej vitesh ne ju njohim juve si të vetmin restaurues që ngre shqetësime dhe përjeton degradimin e mjaft relikeve muzeore?
Sot ka dalë një fenomen tjetër. Kanë dalë shumë diletantë që thonë se dimë të restaurojmë dhe po bëjnë hatanë në objektet muzeore, po shkatërrojnë kulturën.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz