TIRANE-Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson masat që ka marrë Shqipëria në luftën kundër koronavirusit. Lidhur me debatin se përse nuk bëhen testet për koronavirus për të gjithë ata që dyshojnë se janë prekur, zyra e OBSH-së në Shqipëri sqaron se më parë duhet të plotësohen disa faktorë klinikë.

"Në shpërthimin e tanishëm epidemik të COVID-19, Zyra e OBSh-së në Shqipëri dëshiron të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj punonjësve të Shëndetit në Shqipëri, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve në këto kohë të vështira. OBSh-ja dëshiron gjithashtu të përgëzojë qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin në zbatimin e masave të marra nga Qeveria për të siguruar distancimin shoqëror. Këto masa janë tanimë mjeti më i fuqishëm që, të gjithë bashkë, kemi për të kapërcyer këtë krizë.

Zyra e OBSh-së në Shqipëri po punon duke u koordinuar ngushtësisht me Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar që vendimet e marra të jenë në përputhje me rekomandimet e OBSh-së.

Në këtë drejtim, ne duam të theksojmë se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t'u infektuar. Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale' shkruan OBSH.

Pas postimit të OBSH, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama që thotë se "Ja edhe OBSH-ja një minutë më parë, që ta dini kur të dëgjoni togfjalëshin OBSH nga ata që kanë vite të tëra pa punë dhe tregojnë nga ekranet e nga portalet se si bëhet puna" shkruan Rama.