Frika nga pasojat/ A po tërhiqen PD-PS nga hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit? ‘Harrohet’ nisma që i deklasifikon

Frika nga pasojat/ A po tërhiqen PD-PS nga hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit? ‘Harrohet’ nisma që i deklasifikon

Foto ilustruese

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike me në krye Enkelejd Alibeajn po japin shenja tërheqje në heshtje nga finalizimi i hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, përmes miratimit të një nisme në Kuvend. Pasojat e paparashikueshme të hapjes së dosjeve të ish Sigurimit duket se po stepin dy fortat kryesore parlamentare për t’i hapur rrugë zbulimit të sekreteve brenda dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Në shtator të këtij viti, PS-ja dhe PD-ja me në krye Alibeajn depozituan dy projektligje në Kuvend me objekt të njëjtë; Hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të aksesueshme për çdo qytetar. Gjatë muajt shtator-tetor, PD-ja e Rithemelimit, PD-ja me në krye Alibeajn dhe PS-ja referuan 7 nisma ligjore për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit, si dhe largimit nga piramida shtetërore dhe politika ish bashkëpunëtorët e Sigurimit, hetuesit dhe personat që kanë mbajtur funksione të rëndësishme gjatë regjimit komunist.

Nga 7 nismat ligjore, janë miratuar vetëm disa ndryshime në ligjin e vitit 2015 për informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, duke i hapur rrugë Autoritetit të Dosjeve që të verifikojë edhe pushtetarët dhe kandidatët, të cilët kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës nga Komisionet Bezhani dhe Mezini. Projektligji që hap realisht dosjet e ish Sigurimit të Shtetit është nisma për ndryshimin e ligjit të vitit 1999, për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, duke deklasifikuar dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Pikërisht ky projektligj nuk përfshihet në shqyrtim dhe për miratim në Parlament. Teksa ky sesion parlamentar po shkon drejt fundit, nisma ligjore që hap dosjet, po harrohet gradualisht nga forcat politike që dominojnë Kuvendin.

Numri i bashkëpunëtorëve vullnetarë është rreth 400 mijë, ndërsa vetë Sigurim i Shtetit ka pasur në organikë 1 mijë e 400 punonjës. Një pjesë e bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit kanë ndërruar jetë, një pjesë janë në pension dhe jashtë vendit, ndërsa spiunët e rekrutuar kryesisht pas viteve ’70, janë në poste të larta publike. Bazuar në këto shifra dhe rrethana, hapja e dosjeve mund të trazojë politikën shqiptare, por mund të nxisë edhe hakmarrje nga ata që janë spiunuar.

Propozuesit e nismës për hapjen e dosjeve thonë në relacionin shpjegues se shqiptarët nuk janë hakmarrës dhe këtë konstatim e bazojnë në një përvojë konkrete. “Për shumëkënd, hapja e dosjeve ka qenë një diskutim i parakohshëm, që mund të krijonte trazira a konflikte sociale, që mund të shtynte qytetarët drejt hakmarrjes apo shpagimit. Këto arsyetime mund të përmbanin të vërteta të caktuara... Historia 31-vjeçare postkomuniste ka provuar se shqiptarët nuk janë hakmarrës, nuk kërkojnë shpagim, nuk urrejnë, por kërkojnë me ngulm të dinë të vërtetën tërësore të asaj që kaluan në Shqipërinë burg të viteve 1944-1991”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Megjithatë, hezitimi për të miratuar me votë në Kuvend hapjen e dosjeve, duket se as vetë deputetët propozues nuk janë të sigurt se hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit mund të kalojë pa pasoja.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Gruaja i vendos flakën gomave të makinës pranë ish-fabrikës së Sodës, tymi i zi mbulon zonën

Vlorë/ Gruaja i vendos flakën gomave të makinës pranë ish-fabrikës së Sodës, tymi i zi mbulon zonën