Në zemër të Luksemburgut ndodhet një “kasafortë” dixhitale që ruan të dhënat e çdo qytetari estonez. E njohur si “ambasadë dixhitale”, kjo hapësirë nën kontrollin e Estonisë ruan databaza kritike rreth 1,600 kilometra larg territorit të saj. Regjistrat e popullsisë, databazat e sigurisë dhe dokumentet e pronësisë mbahen të sigurta nga sulmet kibernetike, sabotazhet apo edhe një pushtim i mundshëm rus.
Mund të imagjinohet si një USB gjigante që përmban të gjithë “planin” dhe informacionet jetike për rindërtimin e një shteti, e ruajtur në një vend tjetër larg rrezikut të pushtuesve, hakerëve apo katastrofave natyrore. Zona trajtohet si një ambasadë e zakonshme diplomatike dhe autoritetet e shtetit pritës nuk mund të hyjnë pa lejen e Estonisë.
Estonia ishte vendi i parë që krijoi një ambasadë funksionale dixhitale në vitin 2019, pas viteve të sulmeve kibernetike nga Rusia. Ideja u frymëzua nga praktika e vjetër e diplomatëve estonezë që transportonin kopje rezervë të të dhënave me valixhe drejt ambasadave estoneze nëpër botë.
“Vendosnim informacionet në shirita magnetikë, stafi ynë i merrte në valixhe, hipte në avion dhe i çonte në ndonjë ambasadë estoneze ku ruheshin në kasafortë,” tha Allan Allmere, zyrtari estonez që drejton projektin. “Më pas qeveria mendoi: pse po e bëjmë këtë punë manualisht?”
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, interesi për ambasadat dixhitale është rritur ndjeshëm. “Lufta ndryshoi gjithçka,” tha Allmere. “Të gjithë e kuptuan se duhet të mbrojmë të dhënat tona.”
Sot, edhe vende të tjera kanë nisur të ndjekin shembullin e Estonisë. Monako krijoi një marrëveshje me Luksemburgun në vitin 2021, Singapori po kërkon një vend në Indi, ndërsa India po punon për ngritjen e një ambasade dixhitale në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ambasada dixhitale estoneze ndodhet në një qendër të dhënash me siguri maksimale në pronësi të qeverisë së Luksemburgut. Të dhënat e enkriptuara dërgohen përmes lidhjeve private interneti dhe mund të aksesohen vetëm nga zyrtarë të autorizuar estonezë.
Versioni i parë përmbante 10 databaza kritike, përfshirë informacionet e qytetarëve, pronat e tokës dhe ligjet e shtetit, pra gjithçka që nevojitet për të rindërtuar funksionimin e një qeverie pas një katastrofe. Sot sistemi është zgjeruar dhe përfshin edhe disa shërbime aktive të qeverisë estoneze.
Sipas Allmere, sistemi është ndërtuar në mënyrë që të dhënat të mos mund të fshihen as në rast pushtimi.
“Nëse dikush më vendos armën në kokë dhe më thotë: fshiji të gjitha sistemet në Luksemburg, nuk mund ta bëj,” tha ai. “Edhe nëse një fqinj i keq pushton Estoninë dhe merr kontrollin e qendrave tona të të dhënave, përsëri nuk mund të fshijë atë që kemi në Luksemburg.”
Luksemburgu është kthyer në një qendër për ambasadat dixhitale falë stabilitetit politik, serverëve të sigurt shtetërorë dhe lidhjeve të forta dixhitale. Zëvendëskryeministri Xavier Bettel tha se vendi shihet si një “partner dixhital i besueshëm”.
Ai shtoi se Luksemburgu pret edhe ambasada të tjera dixhitale për vende të ndryshme, por disa qeveri preferojnë t’i mbajnë marrëveshjet sekrete për arsye sigurie.
Edhe Ukraina po studion modelin e ambasadës dixhitale që prej pushtimit rus të vitit 2022. Zëvendësministri ukrainas për cloud dhe siguri kibernetike, Vitaly Balashov, tha se Kievi po diskuton me disa vende për krijimin e një strukture të tillë.
Para luftës, ligji ukrainas kërkonte që të gjitha të dhënat qeveritare të ruheshin brenda vendit, por pushtimi tregoi se qendrat e të dhënave mund të bëhen objektiva lufte. Për këtë arsye, Ukraina ndryshoi përkohësisht ligjet duke lejuar transferimin jashtë vendit të sistemeve dhe databazave jo sekrete.
Sipas Balashov, një pjesë e sistemeve ukrainase funksionojnë tashmë jashtë vendit në cloud-et e kompanive si Amazon Web Services, Microsoft dhe Google.
Ndërkohë, koncepti i ambasadave dixhitale po tërheq interes edhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Forumi Ekonomik Botëror prezantoi këtë muaj një kornizë globale për marrëveshjet mes shteteve për krijimin e ambasadave të tilla dixhitale.
Ekspertët paralajmërojnë se kërkesat për fuqi kompjuterike dhe ruajtje të të dhënave po rriten më shpejt sesa mund të përballojnë shumë shtete, sidomos ato në zhvillim. Për këtë arsye, po shihet gjithnjë e më shumë nevoja për infrastrukturë të përbashkët dhe qendra të sigurta ndërkombëtare për ruajtjen e të dhënave
Komente











