Që nga e enjtja Kosova është alarmuar për një sulm të mundshëm terrorist.
 
I gjithë alarmi erdhi pasi Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kërkoi nga shtetasit e saj që jetojnë në Kosovë të jenë të kujdesshëm gjatë Festës së Pashkëve.
 
Një ditë më pas Policia e Kosovës ka arrestuar Rakip Abdylin nga Opoja, i cili jetonte në Pejë, për shkak se përmes rrjeteve sociale ai bënte thirrje për sulme terroriste, shkruan Zeri.
 
Mirëpo pavarësisht këtij arrestimi dhe paniku që u krijua tek qytetarët, Policia e Kosovës  dje bëri të ditur se gjendja e sigurisë së përgjithshme në vendin tonë është e qetë dhe se nuk ka vend për ndonjë panik.
 
Sipas Policisë, shtimi i kontrolleve nëpër territorin e Kosovës vjen si pasojë e Festës së Pashkëve dhe se kjo është pjesë e implementimit të disa veprime operative të planifikuara.
 
“Aktualisht Policia e Kosovës ka në implementim disa veprime operative të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për Festën e Pashkëve e që një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me  ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm”, është thënë në njoftimin e Policisë.


dy.b/shqiptarja.com