Ndeshja miqësore e Kombëtares e programuar të mërkurën me Armeninë nuk do të zhvillohet. Shkak është bërë lufta që ky vend po zhvillon me Azerbajxhanin për një rajon të kontestuar, që deri më tani iu ka marrë jetën mbi 220 personave nga të dy kampet.
FSHF bën me dije se pavarësisht anulimit të ndeshjes Kombëtarja do të vijojë normalisht përgatitjet për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kazakistanit dhe Lituanisë, më 11 dhe 14 tetor.
Njoftimi i FSHF-së:
"Anulohet miqësorja Armeni-Shqipëri, që ishte programuar për t’u luajtur më datë 7 tetor në Jerevan. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se është marrë vendimi që ndeshja të mos luhet, për shkak të situatës së rënduar dhe trazirave që po ndodhin aktualisht në Armeni.
Ndërkaq, ekipi kombëtar shqiptar do të vazhdojë normalisht përgatitjet në Tiranë për dy ndeshjet zyrtare të tetorit në Nations League ndaj Kazakistanit (11 tetor) dhe Lituanisë (14 tetor).
Pritet që grupi të kompletohet sot e nesër dhe të vijojë i plotë seancat stërvitore në kuadër të dy sfidave të radhës në transfertë."