Frrok Çupi: 32 votuesit e Gërdecit dhe Tempulli

Frrok Çupi: 32 votuesit e Gërdecit dhe Tempulli

Foto nga shpërthimi i Gërdecit

32 fshatarë të Gërdecit, në zgjedhjet e 6 marsit (para 9 ditësh) votuan në favor të Sali Berishës; por edhe kjo u harrua. Pak nga pak po harrohet vetë Gërdeci…

Të gjithë kanë harruar. Por të gjithë kanë harruar së prapthi. Deri edhe kolegët e mi të medies, sa herë bëjnë kronika për ‘çështjen Gërdeci’, asnjëherë nuk e mbajnë mend emrin e fëmijës 7 vjeç Edison Durda; o thonë ‘djali 7 vjeçar’, ose e përmendin me dy shkronja të vetme: E.D.

U dashka harruar?… Po, duhet harruar! 14 vjet larg tragjedisë qeveritare të Gërdecit, duhet aplikuar Harresa si Drejtësi.

Harresa e parë bie mbi Tempullin.

Tempulli është vetë Gërdeci, fshat pranë Tiranës, i strukur në një rrudhë kodrinash, si një qenie e frikësuar nga gjuetarët. Sikur fshati ta dinte se një ditë do ta digjnin…  Siç dogjën Tempullin e Artemis në lashtësi, në epokën e broncit. Ai ishte ngritur në qytetin Efe të Turqisë, në respekt të perëndeshës Artemis. I vuri zjarrin një nga njerëzit e pushtetshëm të kohës, Herostratus. Këtu nis harresa e parë e historisë për Drejtësi. Gjykatësit vendosën si ndëshkim që emri i zjarrvënësit të mos përmendet kurrë më nga askush. 24 shekuj u harrua zjarrvënësi, jo Tempulli. Gërdecin e dogji dhe e vrau qeveria dhe familja Berisha; por mediat, feja dhe politika harrojnë viktimat dhe mbajnë në gojë Berishën. Duhet kthyer sensi i harresës: Të harrohen zjarrvënësit.

Harresa e dytë, mbi 32 votuesit e 6 marsit:

Të votohet në Gërdec në favor të Berishës, vetëm 14 vjet pasi ky e groposi, e dogji dhe e bëri mish për bishat jetën e njerëzve, kjo do të ishte si shembje e perëndive në Efes në atë kohë. Sot Gërdeci ka 5 votues më shumë se numri i viktimave, 27, nesër mund të ketë 5-fish më shumë; kjo të trondit. Prandaj duhen harruar 32 votuesit e zjarrvënësit. Një ditë në vit, të paktën nuk duhet të përmenden. Kjo ditë mund të jetë edhe 15 marsi. Atë ditë populli i fshatit, si në procesion kujton viktimat dhe i vjen rrotull ‘Tempullit’ shtëpi më shtëpi; por në shtëpitë e 32 vetëve nuk troket. Me këtë harresë do të mbetet e gjallë kujtesa e Drejtësisë.

Harresa e tretë, boronicat:

Një herë në vit, duhet të kthehet në rregull i kombit, që boronicat hiqen nga përdorimi. Boronica, ky fryt i magjishëm për njeriun, u përdor në mënyrë çnjerëzore në Gërdec. Pasi pinjolli i Berishës udhëhoqi biznesin e tij të shpërthimit të vdekjes, pasi vrau 27, u kthye përsëri. U kthye te vendi i krimit, me një fabrikë për boronicat. Nëse harrohen boronicat një herë në vit, atëherë do të kujtohet përjetësisht tragjedia e qeverisë mbi njerëzit. Njerëzit do të pyesin ‘pse kjo harresë?’, dhe atëherë do të kujtojnë ironinë e pinjollit. Aq më tragjike që zjarrvënësi guxoi të kthehet në vendin e krimit; gjë që nuk e bëri Aerostratus.

14 vjet harresë janë mjaftueshëm kohë për t’u zgjuar. Ne mund të thërrasim modelin dhe historinë e Drejtësisë sonë zakonore; edhe kjo si e drejta Romake me harresën. Po ju sjell një model si ky: Në një fshat mes Matit e Mirditës, Rremull, janë dy fise- me një burim uji. Burimin e dha natyra në tokat e njërit fis; nuk kishte si bënte ndryshe. Djemtë e fisit të ‘ujit’ një ditë u bënë të fortë dhe lajmëruan fisin tjetër: Nuk ka më ujë për ju; uji është yni!’. Atëherë u mblodh ‘gjyqi’ dhe e gjeti zgjidhjen: ‘Uji i takon fisit të ujit; por edhe fisi tjetër do të mbushë ujë…; vetëm një ditë në muaj- jo!’. Zgjidhja funksionon sot e kësaj dite. ‘Një ditë pa ujë’ e fisit të dytë, i kujton gjithë jetës se uji është pronë e ‘fisit të ujit’.

Një ditë të harrohet Zjarrvënësi i Gërdecit, të paktën; që të na kujtojë cili është ai…

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen