Frrok Çupi: ’93-shi në gjyq

Frrok Çupi: ’93-shi në gjyq

Pjesë nga libri: “E pashë shtetin duke rënë”

Një retrospektivë e vitit të nxehtë 1997 nëpërmjet syrit të një analisti

Kisha ndërmend ta botoja këtë shkrim që në numrin e parë të gazetës për vitin ’93. Drejt kësaj ideje më nxiti vetë pompimi që i bëjnë sukseseve shteti dhe mjetet shtetërore të propagandas, në fund të viti 1993. Mirëpo e shtyva botimin e shkrimit nga dita me ditë, sepse e ndieva se viti ’93, për fat të keq të tij, ende ishte duke u pompuar: “Vit historik”, “vit i mrekullueshëm”, “vit i sukseseve të paimagjinueshme dhe i perspektivave të ndritura”, “demokraci të qofshim falë”, “vit i hapësirave të pamata”, etj. E ndjeva se duhej ta botoja këtë shkrim, pikërisht nga dhimbja dhe keqardhja për vitin 1993. Keqardhja është e dyfishtë: “Së pari, viti 1993, erdhi tek ne krejt natyrshëm, për të bërë jetën e vet të natyrshme dhe për të ikur pa u ngatërruar, pa u fyer e pa u sulmuar nga veset tona e nga interesat politike. Ndërsa ne ia bëmë këtë pabesi. Së dyti, fytyra e vitit 1993, m’u shfaq si fytyra e një njeriu, që mes nesh ka fatin e dyfishtë të ekstremit, ose të fryhet së tepërmi, ose të flaket së tepërmi. Dhe përderisa e filluan me pompozitet, ditët e ardhshme, me siguri, do të jenë terror, sulm, akuzë, gjyq e ndoshta ndëshkim për vitin 1993.
Jam i bindur se kështu do të ndodhë.

1. Është në zakonin tonë të keq që iu kthehemi ditëve që kaluam dhe nisim t’i “gjuajmë” me gurë. Këtë e bëjmë dhe e kemi bërë edhe herë të tjera, sepse na duket sikur po t’u ulim kokën ditëve të shkuara, kështu ia ngremë ballin orës sonë. E sa më shumë e shajmë kohën që kaluam aq më lart na duket vetja. Ka një magji në këtë mes, që duket se vërtet një vepër kreshnikësh je duke bërë në këtë mënyrë. Magji që i ka çuar fatet tona kombëtare e individuale deri në zgripin fatal të historisë. A shikoni sa objekte kulti na kanë mbetur aktualisht? A shikoni sa pak monumente historie e kulture kemi në krahasim me ato që duhej të kishim? A shikoni sa pak dëshmi kemi lënë mbi fytyrën e tokës sonë të lashtë? Aq pak sa nuk mund t’i thuash kujt se je më i vjetër se sa maksimumi një brez perandorie. Sepse kemi ardhur në një mëngjes e kemi prishur barbarisht imazhin e një dite më parë. Ose të një periudhe më pare. Kështu, jam i bindur se do të bëhet edhe me vitin 1993. Aq më tepër pse e lavdëruam shumë, pa ndonjë argument.

2. Është në zakonin tonë të keq që sa kohë e kemi prezent kohën, nuk i themi asgjë në sy, vetëm i bëjmë elozhe. Është pritur gjithnjë sa ka ikur. Por ama sa ka ikur… Sepse na është dashur dhe na duhet që viti pasardhës, psh. viti 1994 të jetë shumë më i mirë, të jetë krejt i mrekullueshëm. Ja kemi për të parë që edhe vetë kjo qeveri që është sot, vetëm pas pak do të fillojë të thotë se në vitin 1993 u bënë shumë gabime, u vërejtën shumë akte jo demokratike, etj. Dhe kjo ka për të nisur të thuhet pikërisht në një okazion kur një punë do të ngecë vërtet keq; ose në një okazion kur dikujt në majën e lartë të shtetit do t’i duhet kjo si një “pasaportë” për të kapërcyer një lumë; ose do t’i nevojitet pikërisht mbijetesës në vitin 1994. Mbi të gjitha kjo dëshmon fatkeqësinë se edhe një hap në qoftë se bëjmë, e bëjmë duke vështruar mbrapa. Pika e krahasimit është mbrapa. Pika e mbërritjes është mbrapa. Mbrapa është, së fundi, edhe pika që e sulmojmë për vdekje. Fati i keq i kohës së vdekur – që të vdesë dy herë. Përpara!? Nuk dihet ku është… Edhe në kushtet kur të “zotët e shtëpisë” në qeveri do të jenë këta që janë.

Po sikur të ndërrohet qeveria ose të ndërrohet qeverimi komplet. Atëherë mund të jetë edhe më keq. Viti ’93 mund të shpallet viti-skelet. Veçse viti 1993 kishte një fat: Erdhi e shkoi pa lënë ndonjë gjurmë. Se po të kishte ndërtuar ndonjë pallat, a një urë, a një shkollë, a një mur, a të kishte sjellë ujë ose dritë…menjëherë do të ishin shkatërruar të tëra si trupëzime të vitit ’93. Fati i ’93-shit është se nuk la dëshmi…Po bazohemi në ato çfarë kanë ndodhur deri tani.

3. Është në zakonin tonë të keq që në vend që qeveria të vështrojë nga ne, bëjmë të kundërtën: vështrojmë ne nga qeveria. Si?… Kemi qëndruar tërë ditën me mikun tonë, dhe, në mbrëmje ndodh që qeveria thotë se miku ynë po atë ditë paska qenë në Zimbabve. Fatkeqësisht besojmë qeverinë.

Kemi udhëtuar tërë ditën në shi, dhe, në mbrëmje na del televizioni e thotë, bie fjala se sot ishte një kohë me diell. Ende pa u tharë mirë nga shiu, ne besojmë atë që thotë ekrani qeveritar. (Ky televizion që është sot e ka thyer këtë tabu me të pavërtetat që ka deklamuar). Dhe kështu: E kemi kaluar vitin me njëmijë halle; me shtrëngesë për bukë; me drita e pa drita; me ujë e pa ujë; me djem e vajza duke kapërcyer kufirin e shtetit tjetër plot rrezik e duke na lënë natë e ditë me sytë nga dera; me lajme të kobshme për krime; me çmime tmerrësisht të larta; për pagat tona të ulëta; me spitale që krahasohen vetëm me rrethin e parë të ferrit, plot kryeqytetin në plehra… Megjithatë vjen dita e fundit e vitit kur Qeveria thotë se ky ishte një vit i mrekullueshëm e historik, dhe ne gati-gati besojmë. Kjo thënie ka pjesën e saj të besueshme e krejt të vërtetë, por vetëm për qeverinë. Vërtet për anëtarët e qeverisë e të kreut të shtetit ishte një vit i mrekullueshëm: Kolltuku, luksi, rojet, makinat, shërbesat, edhe lajkat e shumëkujt, aeroplanët, vilat… Kushedi në se mund të ketë më vit të tillë për të njëjtin qeveritar! Mirëpo për të tjerët nuk ishte kështu.

Ndaj them se atë ditë qe qeveritarët të vështrojnë vitin e popullit dhe jo populli vitin e qeverisë, atë ditë do të jemi duke u afruar për nga demokracia. Të paktën për nga e vërteta, e thjeshtë.

Pra edhe viti ’93 është nisur drejt gjyqit, e ndoshta edhe drejt ndëshkimit të rëndë, me sa po shohim sot. Të paktën duke gjykuar nga fakti se po i atribuohen kushedi sa të pavërteta. Por nuk e di në se është duke dëgjuar viti i ri 1994 se ç’po ndodh me fatin e paraardhësve. A do të mund t’i shpëtoje 94-a gjyqit?/Fjala.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 20/02/2023 12:07

    A e beson shqiptari vèrtetè qeverinè e tij? A ka pasur ndonjèherè nè historinè tonè njè moment tè tillè luksi, ku shqiptarèt tè uleshin nè mbrèmje rreth tavolinès dhe tè pyesnin vetveten,,,a ti besojmè qeverisè sonè? Me qeveritè qè shkonin e vinin, tè vendosura aty shpesh herè me mbèshtetjen e forcave ushtarake tè fqinjève jugorè e veriorè (paguar kjo mbèshtetje me territore, si psh Shèn Naumi), shqiptarèt kanè njè marèdhènie jo organike. Pèrceptimi se qeveria PUNON PÈR RRITJEN E MIRÈQÈNIES KOMBÈTARE, siç njohin shtetet europiane, nuk egziston nè anèt tona, me pasojat e paevitueshme qè na ndjekin deri sot. QEVERIA VJEDH,,,QEVERIA VRET,,,ky èshtè tenori ynè shqiptar, ndaj ndjesia kombètare dhe ndjenja pozitive karshi rrènjève tona, shfaqet kaq problematike. Frrok Çupi. Ato kombe qè nuk analizojnè tè djeshmen, e pèrjetojnè atè pèrsèri nè tè ardhmen e shpejtè. Rrethi vicioz i historisè sonè, edhe ashtu jo fort pozitive, çahet vetèm nèse emancipojmè vetveten dhe pèrpiqemi tè ndèrtojmè njè sistem ku drejtèsia, nuk mbetet njè fjalè e pakuptimtè. Nèse nuk ia dalim,,,atèherè NA ISHTE NJÈHERÈ NJÈ POPULL QÈ ZHDUKU VETVETEN.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet