Një dorë, përtej murit të burgut e ka sajuar ngjarjen për së dyti:

Skena: Një burg, i njëjti që ishte 84 vjet më parë, veçse tani i rinovuar.

Rruga: E njëjta, aty ku u zhvillua demonstrata në 17 shtator 1942. Tani mban emrin ‘Mine Peza’.

Ora: Gati e njëjta, diku pesë pasdite.

Parulla, e njëjtë: “Lironi çunat tanë”.

Maskimi: Në të dy rastet, fytyra të mbuluara. Këta që sulmuan Burgun në 4 korrik 2026 vunë maska vetëm në fytyrë. Gratë revolucionare të 17 shtatorit 1942 mbuluan kokën, fytyrën dhe gjysmën e trupit.

Mes tyre ishte Mine Peza, një grua heroinë, shoqe e ngushtë e Nexhmije Xhunglinit që më vonë u kthye në “First Lady’ në regjimin komunist.

Qëllimi i sulmit mbi burgun: I ndryshëm. Atëherë kërkohej çlirimi i Shqipërisë nga Fashizmi, tani kërkohet ‘Revolucioni i Flamingove’ me sjellje fashiste.

Rruga e zgjedhur: Revolucioni!

Nuk ka asgjë të rastësishme. Simbolika është perfektë për të demonstruar qëllimin për instalimin e të Majtës Ekstreme në vend. Po ndodh në Bulevard.

Qysh prej ditës së parë të ‘Revolucionit të Flamingove’, u kuptua qartë se po gatuhej e majta ekstreme. Po lindte komunizmi më i egër i kohës.

Menjëherë u shpallën sloganet:

Slogani që qëndronte dhe vazhdon të qëndroj në ajër mes tyre është ai i nënkuptuari: ‘Dërrmoni, shkatërroni, gjithçka!’. ‘Mbi armikun gjakatar!’. Kësaj here armiku jemi ne. Armiku është vendi ynë i bukur, njeriu, qytetari, fëmijë, personaliteti, ekonomia, mirëqenia, integriteti, shteti, ligji, qeveria. U ngritën t’i hedhin të gjitha në dhè.

Slogani tjetër: ‘Atdheu nuk është në shitje!’. E shtruan sloganin si leckë në bulevard, si një send ngjitës për ‘mizat’ që ulen kudo. ‘Kush ta hajë, ta hajë!’. Disa njerëzve të dobët u hipi flaka në fytyrë sikur ‘po shitej atdheu’.

Parulla: ‘Shqipëria shqiptarëve, vdekje tradhtarëve’. Në fakt kjo ishte parullë e Ballit Kombëtar në kohën e Mine Pezës, por këta e sollën me qëllimin tipik majtist ekstrem. Qëllimi, të mbledhin me vete edhe ballistët. Por të evokojnë atë periudhë kur kishte lloj- lloj, në krye do të dilnin majtistët. Objektivi, të trembin me vdekje secilin që këta i venë gishtin si tradhtar.

Majtizmi ekstrem i kohës është një grumbullim kaotik i qëllimeve, i pikëpamjeve, i mjeteve, i karaktereve e synimeve. Shtëpia e Bardhë sapo ka nisur një iniciativë internacionale për të luftuar majtizmin ekstrem kudo në botë, edhe në Shqipëri, specifikisht.

Synimi strategjik i ‘Revolucionit të Flamingove’, lufta kundër Shteteve të Bashkuara. Antisemitizmi u risoll në skenë si atavizëm i qëndrimeve të vjetra komuniste në raport me forcat lëvizëse të botës. Izolimi i dytë i Shqipërisë. Eliminimi i investimeve të mëdha, sidomos të huaja amerikane, në vendin tonë.

Kontrolli brenda për brenda protestës:

Vigjilencë kundër armikut. Edhe kur nuk ka armiq, shpiket dikush. Kush nuk është në vijë, eliminohet. Kush nuk flet si ‘flamingo’, i ndalohet fjala. Priten fonde nga gjithë bota që nuk e do shtetin shqiptar, duar internacionale për të ndaluar ecjen e vendit. Fillimisht do të eliminohej kryeministri, qeveria, presidenti, parlamenti…

Kush e udhëheq Revolucionin majtist? Majtistët e thekur në vend dhe jashtë tij.

Jashtë vendit Albin Kurti i Kosvës. I cili u bë kryeministër i Republikës që nuk e njohu nuk e pranoi kurrë. Inati kundër Amerikës e la pa njohur edhe republikën e tij. I kalitur si majtist në burgun serb.

Brenda vendit: Sali Berisha, i sprovuar si majtist ekstrem, rrënues i personalitetit të njeriut, i dhunshëm gjatë regjimit komunist he pas tij. Hysamedin Feraj, kosovar i Albinit, që thur plane ogurzeza në zyrat e VV në Tiranë. Arlind Qori, komunist më i egër se çdo komunist në treg që nga 1942. Fatos Lubonja, i ardhur nga blloku komunist dhe i kalitur si komunist në Spaç. Në skenë u thërriten edhe majtistë ekstremë nga Europa. ‘Të gjelbërit’ e majtë që erdhën, nuk gjetën fakte kundër vendit. Por italiania Ilaria Salias u fut në turma dhe bëri thirrje populiste ekstremiste.

Ky është shtabi, por që ka qëndruar i fshehur deri vonë.

Deformimi kaotik për shkak të injorancës:

Revolucioni i Flamingove shpalosi platformën e vet kundër shtetit klasik. Sepse shteti është borgjez, sipas tyre.

Nuk nevojitet më shtet, thanë. Duhet vetëm ‘popull’. Komitet i Popullit, Ekzekutiv i Popullit! Gjykimi në shesh. Dënimi në shesh. Për çdo gjë të thërritet ‘Mbledhja e Përgjithshme e Popullit’. Organ Suprem, si në Iran. Dhjetë milionë shqiptarë nga gjithë bota të mblidhen në hijen e rrapit. Se ku, e caktojmë më vonë.

Për në një spital psikiatrik do të ishte ‘over’.

Edhe sentimentet i zgjodhën sipas vitit 1941-42 kur u themelua e majta. Një nga udhëheqësit e Revolucionit, Kola me qeleshe, dëshmoi sinqeritet: “Po më thërrasin fëmijët ‘kthehu në shtëpi, ba’, por unë jam në revolucion”, tha në intervistë.

Një nga komunistët e viti 1942 i shkroi të fejuarës: ‘Të dua ty nëse ti do Partinë”.