Frrok Çupi: Faton Hajrizi mund të kthehet në regjim

Frrok Çupi: Faton Hajrizi mund të kthehet në regjim

Foto nga ceremonia e Faton Hajrizit

Faton Hajrizi u varros dje në Klinë të Kosovës. S’ishte bash varrim, por si dalje në skenë e një gladiatori; qindra të rinj kishin veshur bluzën me fjalët e idolit të tyre: ‘UÇK, Liria ka emër!’. Vetëm qeveritarë e politikanë nuk u panë aty, por mijëra të tjerë.

Fatoni u vra nga shteti i Serbisë në 18 korrik, pas 40 orë në gjueti si me leopardin, por edhe qeveria e Kosovës, në sekondë, e shpalli armik. Skena e varrimit, ajo që u pa dje, mund të rezultojë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka vetëm dy ‘shtete’, por edhe një regjim të tretë.

Mos e marrim të ngushtë nocionin ‘regjim’, sikur qenka sinonim i vetëm një qeverisjeje autokratike e diktaturë. Jo, në regjim hyjnë nocione edhe më të gjerë: Regjime në agjencitë, rrugët, lumenjtë, përmasat, klimat, shpendët, lëvizjet urbane, njerëzit… Faton Hajziri mund të kthehet në regjim protokollesh dhe normash. Siç kishim dikur në Shqipëri kur mëngjes e mbrëmje ngriheshim e binim me idenë se ‘jetojmë e punojmë si në rrethim’.

Menjëherë pas varrimit të Fatonit, duheshin bërë disa pyetje. Ndoshta pyetjet duheshin bërë që ditën kur u vra. Ose më mirë qëkurse shteti i tij ‘e la të arratisej nga burgu’, siç po lëshohen plot hamendje. Pyetja është ‘çfarë përshtypje kanë lënë të gjitha këto në ndërgjegjen e një popullsie!?’ si kjo në Kosovë. Përderisa nuk ka pyetur njeri, as e di njeri se ‘ç ’përshtypje’.

Këtu shfaqet bima e parë e një regjimi të tretë, veç dy regjimeve shtetërore.

Regjimi ‘Faton Hajrizi, në radhë të parë ka për kufij pakënaqësinë e Kosovës. Shtetin e Kosovës, të krijuar para 25 vjetësh, po e izolon kryeministri Kurti, po e izolon nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Sanksionet, fillimisht, po e dëmtojnë situatën në Kosovë, gjendjen ekonomike, diplomatike, sociale e politike. Opozita nuk është ende në gjendje të dallojë ‘shapin nga sheqeri’. Kosova, e tëra, po paragjykohet si ‘e pabesa ballkanike kundër Aleatëve’.

E treta, që është Fatoni, nuk ka një teori, sot për sot. Por ka një kthim ‘pas’ (që do të thotë përpara sa i përket perspektivës). Fatoni nuk e do mohimin e UÇK-së, të Amerikës, të NATO-s, nga ku erdhi shteti dhe pavarësia e tij; siç bën qeveria. Që ditën e parë kur u vra në Serbi, nga qeveria e Kosovës Fatoni u quajt ‘vrasës’. Por që nga dita e vrasjes e deri më sot, po dëshmohet se ‘pakënaqësia, edhe e Kosovës, nuk prodhon thjesht vrasës’. Po prodhon një regjim të ri rreth Fatonit.

Që ditën e vrasjes, deri te dita e varrimit, po dëshmohet se ‘Kosova nuk është unike’, siç mendon Kurti,  sikur ‘Kosova është në rresht prapa tij’. Mes regjimit izolacionist të tij dhe ‘regjimit’ ende filiz të Fatonit, ka një hapësirë ku ndryshojnë gjërat. A nuk u duk diferenca që çastin kur dikush në Kosovë e thërriti Fatonin ‘hero!’. Këtu pati frikë qeveria Kurti, dhe menjëherë reagoi: ‘Jo, tha, heroi ynë është Afrim Bunjaku’. Dmth polici që u vra po nga serbët muaj më parë.

Qeveria Kurti u tërhoq shpejt, harroi Afrimin dhe e la ‘regjimin e Fatonit’ të marrë rrugë vetë. Pa vullnet, sigurisht. Historinë e Kosovës nuk e bën dot qeveria e saj; aq sa mundi ajo e mohoi Luftën dhe Republikën. Kurti tentoi të bëhet gjykatës i historisë. Mirëpo historia nuk ka gjykatës, ka vetëm hetues…

‘Regjimi i ri’ mund të lindë në një moment kur ‘regjimi qeveritar’ i Kosovës ka bërë hapa prapa dhe po kthehet në ‘regjim të vjetër’. Ky është, pa dyshim, ‘i vjetër’, përderisa qeveria as do dhe as është e aftë të ndjekë reformat  sipas dinamikës së shoqërisë kapitaliste perëndimore.

Kurti i Kosovës kërkon rrugën revolucionare kundër Perëndimit. Sigurisht, edhe Fatoni, një revolucionar është. Por sot për sot është një revolucionar më i pëlqyeshëm se Kurti.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk