S’e kishim pas kuptuar mesazhin e tyre të koduar, edhe pse këta e përsëriten nga krimi në krim. Duke i trembur njerëzit normalë të ‘polisit’, këta në fakt kishin paralajmëruar fatin e tyre të fundit. A nuk u vjen ndërmend slogani luftarak: ‘Eja mblidhuni këtu- këtu, bashkë me ne!’?… Atëherë kur në gjithë qytetin gjëmonin bombat molotov dhe kërciste tmerri mbi fëmijë e burra, bash atëherë këta lëshuan thirrjen dy- drejtimesh: ‘Eja mblidhuni bashkë me ne!’.
Njëri drejtim ishte që njerëzit e mashtruar e të inkriminuar të mblidheshin dhe të digjnin qytetin.
Drejtimin e dytë të parullës ‘Eja mblidhuni bashkë me ne…’, këta e kishin për ditën e fundit, që në fakt ka mbërritur. Ditën e fundit, shefat më të zgjuar të krimit, do të merrnin rolin e ‘të penduarit’ para Drejtësisë. Këta do t’i kallëzonin dhe do t’i dorëzonin shokët për në derën e Drejtësisë.
Ja, kjo po ndodh, gjyqi ka nisur.
Që në momentin kur Departamenti i Shtetit e shpalli ‘non-grata’ shefin më të lartë të krimeve 30 vjeçare, zotin Berisha, që në atë çast këtu ka nisur gjyqi. Që ditën kur presidenti Meta ka ‘humbur’ gruan dhe kjo nuk bëhet më e gjallë në egërsinë e saj kundër paqes sonë, që atë ditë gjyqi është hapur; ajo do të nisë dëshminë ndaj burrit. Gjyqi është hapur për krimin monstruoz të Gërdecit, kur do t’i dalin kockat pushtimit të qeverive kriminale të vendit. (Sepse ka familje kriminale, por ka edhe qeveri kriminale). Gjyqi është hapur për 21 Janarin, është hapur për vrasjen e bankierit Santo, është gati për aferën comorriane të CEZ… Tani dëgjohet kudo oshtima: ‘Eja mblidhuni këtu këtu…’. Fajtorët e mëdhenj kanë nisur të thërrasin dhe të tregojnë shokët.
1. Ka nisur të flasë roja i thesit të parave.
Roja ishte rang i lartë, nuk ishte një mustaqe- spic me pushkë në krah si në Mesjetë. Këta kishin roje personale Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës. Ai që ruante ‘kullën e floririt’, tani ka hyrë i pari në qeli për të mbajtur hapur derën për shokët. ‘Unë e dija se Berisha do të burgosej’, deklaroi prokurori Llalla.
Ja edhe biseda e rojës në qeli:
Gazetari: ‘A ju është kërkuar konkretisht me emër të arrestohet Sali Berisha?’
Llalla: ‘Po, më është kërkuar që të arrestohet, kërkesa më është bërë nga ambasadorja e BE-së.
Po pse nuk e arrestoi? Këtu ka ngecur ligji dhe shteti.
Nëse do të ishte prapë prokuror Llalla, Berisha dhe Meta do të ishin duke lulëzuar në krim. Por ky tashmë ndodhet prapa derës së burgut dhe tregon shokët. Deri atëherë kishte ruajtur besnikërisht aferat kriminale me miliona të vjedhura dhe të rrënuara nëpër katakombet e tmerreve të 30 vjetëve, ndërsa tani i është kthyer misionit tjetër.
2. Kanë nisur të flasin të zhdukurit:
A flasin të zhdukurit?
Kur nuk i futën të gjithë në një thes dhe thesin ta hidhnin në det!…, këta fajin e kishin vetë. Sepse disa u zhdukën, që nga miq të tyre zyrtarë të lartë, ministra, shef i SHIK, etj., deri te Remzi Hoxha- kundërshtar. Përderisa nuk e bënë mbytjen me thes, atëherë disa mbijetuan mbi ujëra, sigurisht. Ata tani janë të gjallë dhe po dëshmojnë. Që nga Britania e Madhe po dëshmon agjenti i SHIK, Kumbaro që mori pjesë në zhdukjen e Remziut. Nga Tirana- Sefgjini. Nga Suedia dëshmon motra e Haklaj. Nga Brukseli dëshmon gazetari i plagosur në 21 Janar, Fatos Mahmutaj. Edhe një grua që ishte martuar në familjen e kallëzuar nga Amerika dhe që jeton ‘e mërzitur’ diku në Nord, ajo ka shumë për të treguar… Shqipëria u kthye edhe një herë në epokën e ‘arratisjeve’ si në diktaturë, por këto 30 vjet arratisja u krye për shkak të dëshmive mbi krimin e shtetit. Këta shefa të mëdhenj i kishim menduar ‘të zhdukur’ dëshmitarët e tyre, por ata atëherë kur u mbytën mbetën mbi ujëra dhe notuan të gjallë drejt Perëndimit. Tani po i tregojnë shokët.
3. Nis e tregojnë njëri tjetrin, mes të mëdhenjve:
Ilir Meta, që këto ditë është president i Republikës, ka treguar Sali Berishën- ish president. Ai ka thënë se ka një ‘video të të birit, Shkëlzeni’ ku dëshmohen akte të rënda. Gjithashtu ka dëshmuar publikisht, në Parlament, se ‘përgjegjës kryesor i krimit në Gërdec, është vetë Sali Berisha’’.
Ilir Meta e ka shpallur Berishën ‘idhullin’ e tij. Por edhe kjo është një akuzë, ose kallëzim tragjik: Po dëshmohen lidhjet në krim.
Vetë Berisha e ka kallëzuar Ilir Metën për vepra monstruoze kriminale. Ai ka dëshmuar se Ilir Meta është ‘trafikant droge dhe trafikant i qenieve njerëzore’. Berisha ka dëshmuar se Ilir Meta ‘ka fshehur dy kufoma në Malin me Gropa’.
O zot sa shumë krime! Po prit, se nuk janë as një e milionëta pjesë.., ende dëshmojnë.
Këta tani u kthyen në sensin e lirë të parullës ‘eja mblidhuni…, bashkë me ne’. Po i kallëzojnë dhe po i mbledhin shokët. Ne nuk kemi më punë…/ Gazeta "Fjala"