Frrok Çupi: Himarë, Mitrovicë, OKB

Frrok Çupi: Himarë, Mitrovicë, OKB

Fredi Beleri

Tek po shkruaja titullin e shkrimit, u vura në një dilemë të vogël: Ta nis me emrin e Mitrovicës apo me emrin e Himarës? OKB do të ishte pa tjetër emri, por edhe segmenti i fundit i çështjes…

Çështja është se ku nis e ku mbaron konflikti i tanishëm ballkanik? Mund të mbarojë edhe ky botërisht.

Nis në Mitrovicë, apo në Himarë?, kjo është çështja tani… Merre si të duash, por qendra më e re ku po tentohet një konflikt me shqiptarët është Himara. Greqia po e kërkon konfliktin ‘me këmbë të kalit’, siç thuhet në Shkodër.

Në këtë rast prej qeverisë greke po shpallet jo këmba e kalit, por ‘Thembra e Akilit’. Greqia është kthyer jo vetëm në një epokë të vjetër, natyrisht jo siç është epoka kur jetoi Akili disa shekuj para Krishtit, por në epokën e dobësive të saj të rënda. Shteti në jug të vendit tonë ende nuk ka dalë nga trauma e rëndë e borxheve financiare ndaj eurozonës, 2011. Gjithashtu, si e përkëdhelura e parë e Perëndimit në këtë zonë ku rrethe rrotull u instalua komunizmi, Greqia tani ka humbur primatin në rajon. Edhe kriza e saj demografike, që e ka çuar Greqinë në duar të emigrantëve të vitit 1991 e këndej, është një arsye tjetër.

Me një konflikt shtetëror me Shqipërinë, Greqia ‘do të zgjidhte krizat’ e veta. Aq më tepër krizën e mendimit. Greqia, pa ndonjë fantazi, përsërit të njëjtën skemë me konfliktin e vitit 1940, thuajse një shekull nga ‘Akili’ tjetër, kur e nisi luftën me Italinë për shkak të një bariu të vrarë në kufi.

Kësaj here ‘bariu’ është Fred Beleri, edhe ky i kapur në kufirin Shqipëri- Greqi, por jo si bari; si një terrorist i shpallur edhe prej vetë Greqisë. Fred Beleri u fut qëllimisht në fushatë zgjedhore, si ‘Kali i Vorio- Epirit dhe Berishë- Metës’, për ta plasur si bombë mes shteteve. Çdo ditë Greqia fut duart në punët e brendshme të shtetit shqiptar, njësoj si mjek gjinekolog i cili tenton të vrasë beben e paqes në rajon. Në Himarë tenton të shpikë ‘minoritet grek’, me qëllim që ta vendosë këtu historikisht si dikur minat e Kanalit të Korfuzit në nisje të Luftës së Ftohtë.

I vetmi faj që ka kryer Shqipëria është se tani është më mirë se kurrë.

Nuk mund të them se konflikti në Veri të Kosovës ka nisur para Himarës; të paktën del se ‘Himara’ ishte projektuar fillimisht. Në Mitrovicë ishte pamençuria e Kurtit të Kosovës që e shpërtheu konfliktin pa marrë ende sinjal nga ‘udhëzuesit në konflikte’ që tani shikohet se ndodhen që nga Greqia e Moska, deri në Teheran. E vetmja mençuri e qeverisë Kurti është se po e shkëput Kosovën nga Aleancat me Perëndimin, duke e vendosur rrezikun në kufi. Ka bërë kufiri në Veri të jetë i ngrirë, edhe pse Fuqitë e Mëdha Aleate po përpiqen ta lirojnë.

‘Kufiri i Ngrirë’, do të thotë që pritet konflikti në çfarëdo skaji tjetër të botës, dhe, atëherë këtu manifestohet tragjedia. Rreziku i paramenduar është ky: Shqipëria të vihet në qendër të konfliktit, si nga Jugu dhe Veriu i saj.

Oguri akoma më i zi është ky: Të mbyllet gjithë epoka prej tre dekada që për kombin shqiptar ishin kohët më të favorshme e gjithë historisë për t’u vënë në shinat e zhvillimit drejt qytetërimit Perëndimor.

Dje dhe pardje bisedimet mes Serbisë e Kosovës dështuan në Bruksel; dje qeveria e Athinës kërcënoi Tiranën përmes Micotaqis; dhe sot ambasadorja e Greqisë u paraqit në Gjykatë në krah të ‘thembrës së Akilit’, Beler.

Po sot në Nju Jork mblidhet sesioni i 78 i OKB, ku Shqipëria merr kryesimin e Këshillit të Sigurimit. Bota diplomatike sot do të flasë me gjithë botën, përveç Himarës. Do të flasë për konfliktin në Veri të Kosovës, dhe për Ukrainën- sigurisht. Por për Himarën nuk ka asnjë mundësi. Andej as ka kaluar Akili, e jo më të ketë lënë dobësinë e ‘thembrës’. Në Himarë nuk ka çështje, nuk ka as minoritet grek… Ta kishin, të paktën do t’ia dilnin të flisnin në OKB për një ‘çështje’.

Por ka vetëm një Shqipëri të mirë dhe disa plane idiote për konflikt.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot