Frrok Çupi: Kësaj here do të vdesim vërtet

Frrok Çupi: Kësaj here do të vdesim vërtet

Sali Berisha

Kjo është hera e fundit që e presim vdekjen më këmbë. Sot ka mbaruar ultimatumi që ka dhënë Sali Berisha, i cili për hir të së vërtetës nuk doli si ‘katallani’ nga ujërat e detit të Mesdheut në Spanjë, por erdhi nga malet. Tani nuk ka më, ditët e jetës na i ka caktuar Berisha deri më sot, 5 janar 2022, sa të mbarojë Ultimatumi.

Ultimatumi është lëshuar kundër PD, por pas tij fsheh revolucionin për të sulmuar gjithë popullin.

Edhe kësaj here ndodhi që historia jonë e vdekjes të na lidhë me Spanjën. Një ditë para se të skadojë ultimatumi që ka dhënë Berisha, një lajm i njësojtë me vdekjen tonë erdhi nga brigjet e Spanjës: Gjatë vitit që lamë pas në ato brigje janë mbytur dhe kanë gjetur vdekjen 4400 emigrantë që tentonin kontinentin, njofton Organizata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM). (Mizorisht shifra koincidon me 44 000 militantë demokratë që ka Berisha dhe që do t’i vërsule kundër gjithë popullit tjetër). Po ndërsa atje mbyten 4400, këtu ngrihen 44000…, mirëpo vdesin nja tre a katër milionë.

Kaq ishte. Sapo të kryhet edhe kjo punë, Berisha do të udhëtojë përmes Spanjës, drejt Paqësorit e në OKB dhe do të japë lajmin: ‘U kry’ burra! Ata vdiqën, tani kam të paktën 5000 vetë të gjallë. Se ata 44000 kishin edhe të pabesë mes tyre…’.

Berisha, kësaj here nuk na ka asnjë borxh; disa herë na ka dëshmuar se po na shtyp e po na vret, por ne kurrë nuk e morëm si ‘herë të fundit’.

Kjo vdekje është e paralajmëruar.

Gabriel Garsia Markez na kishte paralajmëruar për vdekjen. Ai na kishte thënë se do të vijë një ditë e dashurisë së zjarrtë për lavdi; dhe se ‘në gjahun e dashurisë vritet lart!’. Lart, kësaj here do me thënë se jemi shënjuar për vdekje gati të gjithë. Gati të gjithë kemi qenë objekt i vrasjes, i dhunës dhe i korrupsionit të Sali Berishës për 30 vjet; sot e meritojmë prej vërteti. Disa herë jemi ngritur në mëngjes në emocione mortore si në këtë ditë.

Një ditë me Santiago Nasarin ose me Azem Hajdarin:

Santiago, si edhe Azemi, atë ditë u ngritën herët, në 5.30 të mëngjesit; Hajdari për në Fier, ndërsa Nasari për të pritur anijen me të cilin vinte Ipeshkvi që do të hidhte ujin e bekuar mbi arkivolin e tij.

Atë natë para vdekjes nuk kishte fjetur mirë, por nuk kishte parandjerë gjë. Kishte parë një ëndërr sikur ecte në një pyll me fiq dhe binte një shi i imët, por kur u zgjua e ndieu veten si të spërkatur me glasa zogjsh.., dhe aty e kuptoi se ishte fundi…

Ndërsa Azemi shikonte shpesh ëndërr me një aeroplan të mbështjellë me varak, që e quante një ogur të keq. Por atë mëngjes që u nis për në Fier u kujtua se kishte parë vetëm Gencin, Tritanin, Saliun të hipur mbi një pemë bananeje dhe një grua sekretare që vdiq e helmuar menjëherë pas Hajdarit. Azemi nuk kishte kohë për Ipeshkv, as për Imam; sa erdhi nga Fieri, iku në atë botë! Por në vend të Ipeshkvit, Berisha urdhëroi që të mos varrosej dy ditë, derisa të gjendej një arkivol i fortë e të qëllohej dera e selisë së kryeministrisë. Kështu u bë; më i qeti ishte Azemi. Ne të tjerë u vumë para pushkatimit. Grushti i shtetit i datës 14 shtator 1998, e dridhi tokën. Menduam se u vramë, por na fali ai.

Edhe Santiago Nasari shpëtoi nga vdekja e parë…

Vdekja tjetër më parë, e paralajmëruar:

Sapo Nasari kishte dalë nga shtëpia, kishte takuar njerëz që e mbanin mend pak si të hutuar, por çakërrqejf. U pat thënë se ‘qenka një ditë e bukur!’, por nuk e kishte fjalën për motin. Kishte veshur këmishë dhe benevrekë linoje të bardhë që nuk i jepnin ndonjë ogur të mirë, përveçse një lirësie në lëvizjen e shalëve. I dukej se po shkonte në dasmë dhe shihte bollëk në sfond…

Ashtu u ndjemë të gjithë ne nën pushtetin e Saliut, aty nga viti 1996 e 97. Skemat piramidale ku Saliu kishte larë gjithë paratë e grabitura në trafikun e naftës dhe të armëve, na kishin dhënë lumturinë si në ëndrrën e Santiagos: Njerëzit merrnin para nga Sudja, pinin birra dhe bënin pi-pi në Parkun Rinia, nga mëngjesi në mbrëmje. Saliu kënaqej me lumturinë tonë. Mirëpo kur ranë piramidat e Saliut dhe njerëzit humbën gjithçka, ai nxori armët. Fillimisht u vranë disa dëshmitarë të rëndësishëm: Aktivisti Remzi Hoxha, gazetari Ali Uka, ministri Krasniqi dhe u gjet i vdekur bankieri Ilir Hoti… Ne nuk na kishte ardhur radha akoma. Por kur erdhi radha dhe Saliu hapi depot e armëve, secili vriste secilin dhe ushtria vriste popullin me urdhër të Saliut. 3 mijë vetë u vranë. 6 mijë forca ushtarake erdhën nga gjithë bota si ‘trupa paqeruajtës’ për të ndalur dorën e shqiptarit që të vrasë shqiptarë. Lufta civile këtu, si në vitin 1936 po në Spanjë.

As atëherë nuk u vramë të gjithë. Por kësaj here nuk i shpëtojmë ultimatumit.

E treta, e vërteta.

Nasari mban pranë, pa pushim, një palë dylbi dhe një armë vetëmbushëse.

Nisi të flejë siç kishte fjetur i ati, me armën të fshehur brenda këllëfit të jastëkut. Të paktën qëkurse shpëtoi nga data ogurzezë e 21 janarit, kur rastësisht nuk u vra para zyrave të ‘mbretit’, nuk e heq më armën nga nënkoka. Edhe pse tani shikon ëndrra me zogj- që i gjykon për mirë, armën dhe dylbitë nuk i ndanë.

“I kishte mbushur të 21-tat javën e fundit të janarit dhe qe trup- mbledhur e i zbehtë…’.

Kështu e përshkruan vetë Markez personazhin e tij që priste vdekjen, Santiago Nasar. Po çfarë koincidence me shkrimtarin e madh! Edhe ai kishte parë shifrën ‘21’ dhe muajin ‘Janar’; njësoj si ne që vdekjen e fundit na e fali Berisha në 21 janar 2011. Atë ditë që Amerika caktoi ‘vdekjen politike’ të Berishës, Berisha ka vendosur vdekjen tonë. Kësaj here do të vdesim vërtet; nuk kemi më shpëtim. Ultimatumi mbaron në datë 5 janar, ora 12. 00, domethënë sot, ndërsa ne vdesim në datën 8 Janar, ora 12.00- siç e ka caktuar vetë Saliu.

Do të mbeten vetëm 5 mijë vetë, sa për farë; por jo të gjithë ata që ishin në stadium ditën e ‘Rithemelimit’. Jo; do të ketë prapë seleksionim: Aty kanë hyrë disa debila që duhen eliminuar; ka edhe disa që kanë vrarë në emër të bosit por që tani duhet të vriten; ka edhe ca çifutë… Në vend të tyre do të hyjë Ilir Meta & Co, që nuk e dimë sa janë; do të hyjnë edhe disa trafikantë droge e disa shokë të fëmijëve.

Në datë 9 janar, Berisha niset përmes Spanjës, për në Kombet e Bashkuara. Aty do të japë lajmin se ‘e hoqa titullin ‘non- grata’ sepse nuk ka më Amerikë…”. Dhe gjithashtu do të japë lajmin: “This is a miracle… U kry’, i vrava”.

-Hë, klysha k…., kaq e kishit, kjo ishte vdekja e fundit!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale