Frrok Çupi: ‘Martiiin’, më thirri në telefon. ‘Mos më thuaj të shkoj më në atë vend!’

Frrok Çupi: ‘Martiiin’, më thirri në telefon. ‘Mos më thuaj të shkoj më në atë vend!’

Kur po ma tregonte atë histori, Martin Camaj bëhej i gjithi si njeri i një skene që nuk donte ta shikonte më. Por megjithatë e tregoi. Atëherë ishte 66 vjeç, sot do të ishte 90 vjeç e një ditë.

Natë marsi, 1991. Kishim orë që po flisnim. Isha shqiptari i parë i mbërritur nga Tirana në Mynih, që takohesha me Martin Camaj pas ditës së arratisjes së tij. I trokita në derë, e gjeta të ngulur në bisedë me një gjuhëtar amerikan. Menjëherë brofi më këmbë.

Iu drejtua tjetrit si t’i merrte leje:

-Më ka ardhur një njeri imi, nga Shqipëria!- i tha mikut- dhe u ngrit:

“Nuk ka punë që më ndalon të shkoj për darkë me njeriun tim!’.

Me sa duket, bash kështu ishte puna; Martin Camaj ishte në një fazë kur nuk mund të humbte as minutat për të mbaruar punët që i kishin mbetur.

Ka qenë mbasdite, sapo u err, kur u takuam…;  dhe jemi ndarë, mendo!, në ora 1 pas mesnate. E mbaj mend orën fikse sepse në atë minutë u përqafëm. Ishim në oborrin anësor të shtëpisë së tij, bash sapo dolëm nga studio. Nuk mund ta harroj sepse duke u ndarë i thashë prapë:

-Martin, tani Shqipëria është e hapur. Të presim në Tiranë?!

-Jo!, më tha shkurt, nuk vij!, dhe më dha edhe një herë arsyen që ma kishte thënë pse Martin Camaj nuk do ta shihte  kurrë më Shqipërinë.

Ai qe momenti kur e shoqja, Erika, pa orën dhe tha pak si në mornica: “ Brrr!… Bën ftohtë.., paska shkuar ora 1”.

Sa hëngrëm darkë dhe pimë nga një gotë verë, me Martin Camaj, më dha një intervistë të gjatë, e cila është botuar në gazetën Rilindja Demokratike në muajin prill. E hap tani kasetën, por zëri i Martinit është dobësuar në shirit. U bënë 33 vjet.

Martini e ka ndërprerë dy herë intervistën, diçka do të përsëriste. Më bënte me shenjë që ta fikja kasetofonin, dhe kthehej prapë te e njëjta pikë:

-Po sa mend kanë ata njerëz te ju, kanë apo nuk kanë mend?

E kishte për vizitën e Franz Josef Shtrausit në Tiranë. Franz dhe Martin ishin miq të afërt.

“Zbriti në aeroportin e Mynihut, dhe punë e parë- kërkon një telefon. E ndjeva nga zëri se si ishte i dërrmuar. ‘ Martiiin!’, më tha. Mos më thuaj më të shkoj në atë vend’”.

Shtraus, kryeministër i Bavarisë, një nga burrat më të mëdhenj të shtetit të Gjermanisë, kishte udhëtuar tre herë në Shqipëri me një projekt për të zhvilluar ekonomin dhe për të nisur investime gjermane në vendin tonë.

Hera e fundit ishte kjo që dëshmon Martini, në vitin 1987. Projekti qe i qeverisë gjermane, por Shtraus e kishte marrë barrë që ta realizonte vetë. Dy herët e tjera kishte pësuar zhgënjim të madh në Tiranë me udhëheqjen komuniste. Ai u ofronte projekte për zhvillimin e vendit dhe këta i thonin ‘jo, duam shpërblimet e Luftës’. Derisa i përmenden një plumb ‘gjerman’ në shpatullën e njërit prej tyre.

Sa vinte nga Tirana, Franz thërriste Martinin

Një herë i kishte thënë: “ E kam pasur më të lehtë me  Mao Ce Dunin se me këta të Tiranës!’. Martini prapë i thoshte “edhe një herë shko, provoje të bësh diçka për ata njerëz!’.

Herën e fundit kryeministri bavarez u lëshua në aeroport me receptorin e zi në dorë dhe i thirri: “ Martiiin!, mos më thuaj më”.

Martini e tregoi dy herë atë darkë, i dhimbte në shpirt për atdheun e tij. Atdheun nuk e kishte parë kurrë, që ditën kur la nxënësit në Prekal dhe u arratis për në një botë të panjohur.

Kur e pyeta se a do të vinte tani që ‘diktatura ra’, ai më tha prerazi ‘Jo!”

-Kam arsye- më tha, pse po të them nuk vij.

“Arsye që nuk e kam unë në dorë, është se si sot një vit unë vdes. Doktori më ka thënë se kam jetë sall deri në marsin që vjen.

-Arsye pse nuk vij- tha akoma më i menduar,… sepse më kanë vrarë shokët. Si mund të vij? Do të më bëhet se më qortojnë sytë e shokëve të mi.

Martin Camaj më ka dëshmuar, gjatë darkës, edhe një arsye tjetër, një arsye që dikush mund ta quajë ‘ arsye letrare’, por që në fakt është shumë më e thellë te njeriu i cili ‘edhe kur vdes bëhet farë’ në tokën e tij. Martin Camaj më tha se ‘ nuk e njoh më tokën time; ma ka deformuar letërsia e soc-realizmit…!’.

Mesnata na zuri në studion e tij. Çfarë i kishte shtuar studios që ditën kur doktori i tha se ‘ ke jetë sall deri në mars 1992’? Më duket se e kam në sy atë letër të shtrirë gati sa faqja e murit, letër me grafikë inxhinierikë. Në kuadrate ishin shënuar ditët dhe orët, një nga një, deri në 1 mars 1992. Në çdo kuti shënohej titulli i veprës, ndoshta edhe një poezi apo një tregim, koha sa i kishte lënë për ta mbaruar dhe…, kaq.

Pastaj hapej kutia tjetër. Ditë për ditë kështu.

Martin Camaj është gjuhëtar, prozator e poet i ‘ veprës së përsosur’. I kthehet e i kthehet poezisë, derisa nuk ke më ç’i prek me dorë, poezia vetëm shijohet. Edhe vetë e ka thënë në vëllimin e pestë ( poezi 1953-1967) se u është kthyer e i ka punuar prapë poezitë e tij. Martin Camaj është poet i pa të dytë si ai. Ka rast që i lexon katër vargje dhe duhet ta rrëzosh librin në tokë…, ndoshta edhe vetë ndjen se bota po të vjen rrotull…

Tabela e punëve në studio përmbante punë deri në 1 mars 1992; i tepruan edhe 12 ditë nga jeta e paracaktuar.

Te ajo studio, te ai njeri shfaqet aq i bukur atdheu ynë, sa nuk ka tjetër frymë që e thotë. Shkoi në datë 12 mars. “ Kur të vdes le të bëhem bar/ në malet e mija në pranverë, në vjeshtë do të bëhem farë”. ( Martin Camaj)

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lindi: 22/07/2024 17:48

    Shkrim i mrekullueshëm, me fakte të panjohura për Martin Camaj sidomos relatat e tij me Shtraus. Poet dhe patriot klasi. I ndrit shpirti atje ku preheat.

    Përgjigju
  • Malsori: 22/07/2024 15:57

    Po asht e vertet qe e keqja e Shqipnise jena na Shqiptaret qe.Jam ne dijeni nga Dokumentaret dhe nga shkrimet qe SHTRAUSI vinte me projekte dhe investime gati e Shqiptaret tane nuk pranojshin me zhvillu venin e vet.Te njejten gja ka ba edhe Sali Berisha ne demokraci kur nje investitor I fuqishem nga Kanadaja donte te bante investim te fuqishem ne portin e Durrsit dhe e kan sorollat 12 muj nuk I jepshin leje se I kerkojshin 40% te shumes paradhanie e manej I shkreti(past drite atje ku ashte se sot nuk jeton ma)u zhvendos ne Montenegro ku ndertoi portin modern qe asht edhe dit te sodit dhe e din te tan kyt histori.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot