Frrok Çupi paralajmëron ekstradimin e Berishës dhe Metës drejt SHBA: Si Uashingtoni zbuloi se kreu i ‘Foltores’ i shiti informacione sekrete të NATO e SHBA spiunit serbo-rus

Frrok Çupi paralajmëron ekstradimin e Berishës dhe Metës drejt SHBA: Si Uashingtoni zbuloi se kreu i ‘Foltores’ i shiti informacione sekrete të NATO e SHBA spiunit serbo-rus

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Analisti dhe publicisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta. Gjatë një interviste të mbushur me detaje të padëgjuara më parë, zoti Çupi shprehet se disa qytete në Shqipëri po përgatiten të shpallin “non grata” Foltoren, teksa paralajmëron ekstradimin e Berishës dhe Metës drejt SHBA, pasi siç thotë ai, janë dy dose që amerikanët kanë hapur kundër kësaj dysheje që dominon politikën shqiptare prej 30 vitesh. Po ashtu, analisti i njohur Çupi akuzon Berishën se ka “shitur” informacione sekrete të NATO dhe SHBA tek spiuni serbo-rus Damir Fazlliç.

I ndalur tek përplasjet dhe gjyqi që ai ka me gazetarin Robert Rakipllari, publicisti Çupi shprehet se ky i fundit po luan lojë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ndërsa theksoi se çdo pretendim që ai ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas tij, është një shpifje dhe e pavërtetë.  

-Zoti Çupi, gazetari Robert Rakipllari ka bërë me dije se ka fituar gjyqin për shpifje me akuzën ndaj jush në një emision televiziv ku iu quajti Bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Si qëndron e vërteta? A mendoni se ka ndërhyrje politike?

Cila është e vërteta? Po e tregoj në një mënyrë të rrafshët: Nuk është hera e parë që më bëjnë të njëjtën akuzë. Ashtu siç nuk është hera e parë që shpifin. E njëjta shpifje vërtitet nga njëra kohë në tjetrën, njësoj. Hera e parë ishte shpifja e Sali Berishës në vitin 1997. Në mars të vitit 1997 ai ra, pas rënies reale nisi të kacavaret mbi mjete makrabritet, të dhunës, vrasjes e shpifjes. Po i vinte fundi politik nga qytetarët dhe nga kundërshtarët në politikë e në media. Shpifjen e bëri ‘institucion’. Ngriti një ‘komision ndershmërie’ që e quajti Mezini, sipas mbiemrit të atij njeriut që i vuri në krye. ‘Mezini’ që shumë shpejt u konsiderua një komision krejt i komprometuar, sajoji disa shpifje apo alibi ‘me spiunë’ për kundërshtarët e tij që i rrezikonin pushtetin dhe po viheshin në garën për deputetë në zgjedhjet e qershorit 1997. Unë isha njëri prej tyre.

-Cila ishte alibia? A paraqiti prova?

Asnjë provë. E vetmja ‘provë’ ishte se ‘emri i Frrok Çupit është gjetur i shkruar në një libër’ si libër llogarish apo kuitanca, që quheshin atëherë.  -Ku është ky libër?- pyeti avokati im Spartak Ngjela-Nuk e tregojmë!- thanë. ‘Kemi këta të SHIK-ut që nuk na lejojnë’, thanë. Ata të SHIK-ut u ngritën e  ikën. -Atëherë ju po shkelni ligjin!- tha Spartaku, dhe nisi të tallej me ta. “Klienti im në atë listë çfarë ka shitur?, vezë, mish, lesh? Po ku ka lidhje kjo me Sigurimin?! Ja kështu mbaroi çështja dhe mbrojtja. Gjithë ‘odisea’ e Mezinit ishte që të më ndalonin të kandidoja për deputet.

-Të mos kandidonit, si do t’u ndalonin?

Këtë mision kishte komisioni Mezini, që të njolloste disa njerëz të caktuar me dorë nga Sali Berisha sipas ‘pastërtisë së figurës morale’, dhe këta të mos lejoheshin të kandidonin; KQZ nuk të hapte dritë jeshile nëse ‘nuk ishe i pastër. Pas kësaj ‘Mezini’ do të shkrihej, siç edhe ndodhi.’

-Ju nuk kandiduat?

Po, kam kandiduar në Vlorë; ka qenë një fushatë e bujshme, qytetarët e Vlorës më votuan fuqishëm dhe më deshën më fuqishëm. E mbylla në balotazh me Skënder Gjinushin.

-Si mund të kandidonit duke pasur ‘njollën e ndalimit’ nga Mezini?

Ajo akuzë nuk mundi të rezistojë as aq pak ditë, edhe pse Berisha kishte në dorë komision, gjykatë, spiun, sapun, para, parlament, vrasës, hajdutë... Atë sajesë të Komisionit Mezini e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese me një vendim të posaçëm..., të datës 20 a 21 qershor 1997. Vendimi i Komisionit Mezini u shfuqizua si ‘antikushtetues’ nga vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës. Kaq ishte.

-E si del kjo ‘punë spiuni’ sot pas 25 vjetësh?

Ja, pra kaq është. Unë kam paditur penalisht gazetarin Rakipllari sepse të njëjtën shpifje e përdori publikisht në studion televizive. Tani lexoj prej Rakipllarit se ‘paska fituar gjyqin’. Me këtë kuptoj se gjyqi dhe Rakipllari më kanë shpallur mua ‘spiun’. Po lexoj edhe se ‘Gjykata Kushtetuese paska vendosur kundër meje në qershor 1997’. Po lexoj edhe se ‘Frrok Çupi nuk ka kandiduar për deputet’. Pres të lexoj se ‘mali i Dajtit nuk ndodhet në veri-lindje të Tiranës por në fushat e Lushnjës’; do të lexojmë edhe se ‘nuk jemi në vitin 2022’, do të lexojmë edhe se ‘nuk jemi të bardhë si racë, por negro’. Ku ta dish çfarë.

-A po luan Rakipllari dhe gazetarë të tjerë lojën e Ilir Metajt?

Po, sigurisht; kjo është një orkestër e pjesës së poshtme që duan të mbrohen me shpifje. Po sa u vlen?

-Çfarë po ndodh me lojën e ‘dosjeve të spiunëve’, prej 30 vjetësh?

Ligji që është premtuar kësaj here nga Kuvendi, shpresoj se do ta hapë këtë ‘dhomë të errët’ të qytetarisë sonë.  Pse e mbajti në dhomë të errët Berisha e pastaj Meta? Pikërisht si ‘rezervat gjuetie’. Gjuajnë jo shpend e kafshë siç bënte të dielave ish-Politbyroja e periudhës së diktaturës. Këta gjuajnë e vrasin njerëz: Ata që kanë dosje i vrasin duke i shantazhuar e duke i përdorur si kavje; ndërsa të gjithë që nuk kanë dosje i ‘vrasin’ duke shpifur se ‘e di unë, ti ke dosje por nuk ta tregoj’. As në kohën e skllavopronarisë nuk ka ndodhur kështu. Me këtë e kanë mbajtur pushtetin. Tani shpresoj se po hapen, e të bjerë pushteti makabër i Berishës dhe Metës.

-Më thatë se ‘malin e Dajtit mund ta vendosin në Lushnjë’, çfarë po thoni me këtë?

Po them se shoqëria jonë ndodhet në një rrezik të tmerrshëm para dezinformimit. Mediat janë kthyer në shpifëse, dezinformuese, prokurore dhe inkuizitore të njeriut. E shikoni çfarë ndodh: ‘Frrok Çupi- thonë- nuk ka kandiduar dot se ishte spiun!’. Deziformimi i medies po konsiderohet si një nga rreziqet më të mëdha për qytetarinë dhe demokracinë, sipas alarmit që vjen nga aleatët tanë të mëdhenj. Rusia agresore po pushton e shantazhon botën përmes mjetit kryesor ‘Dezinformim’. Edhe këtu, po të shpifi gazeta apo media e Irfanit, je i vdekur; kështu mund të vdesë vendi. E njëjta gjë ndodh me gjyqin. Këta që nuk kalojnë dot vetingun, këta bëjnë kiametin në momentet që po ikin. Këta edhe për një grusht euro të caktojnë ‘spiun’. Me një grusht euro gjykatësi i shkallës së parë rrëzon vendimet e Gjykatës Kushtetuese. ‘Spiun’ të cakton gjykata, pa asnjë fakt. Kjo është alarmante.

-Ambasadorja Yuri Kim e shpalli Foltoren “non grata”, si e komentoni sinjalin e qartë amerikan për Sali Berishën?

Ka shumë mënyra për ta lexuar sjelljen e qeverisë Amerikanë për ‘non gratën’ Berisha: Një mënyrë:  Zvogëlimi i sipërfaqes ku vë këmbët Sali Berisha. Në fillim, Berisha, u përjashtua nga Amerika. Pastaj nga Britania e Madhe. Tani është dhënë lajmi se do ta shpallë ‘non grata’ edhe Bashkimi Europian, ku bëjnë pjesë edhe fqinjë si Greqia, Kroacia, etj. ‘Non grata’ për Foltoren do të thotë se edhe ajo copë tokë ku ngulen këmbë njerëzish me koka rreth Berishës, do të rrethohet. Pastaj do të shpallet ‘non- grata’ nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Serbia. Gjiri i Lalëzit do t’i ndalohet për shkak të sekuestrimit... Po ku do të lahet Berisha? , në govatë! Po vjen edhe dita kur vetë qytetet e Shqipërisë do të marrin vendime që të ndalojnë hyrjen e Berishës. Kjo ndodhi në Vlorë në vitin 1997, por në sens tjetër. Pastaj Berisha do të jetojë mbi çati.  Mënyra tjetër, si kuptohet ‘non grata’ për Foltoren? As Amerika, as Europa, as vetë shqiptarët nuk lejojnë që në vendin tonë-aleat besnik i SHBA- të ngrihen grupime politike Antiamerikane. ‘Kam dëgjuar disa, ata të PD, që sjellin si model ‘Afganistanin’ dhe thonë pse atje lejohen organizata ‘Antiamerikane’. Atje ku ‘lejohen’ grupimet terroriste e anti-amerikane, atje nuk ka punë Amerika as qytetërimi perëndimor. Këtu kombi shqiptar është vendosur në drejtim të kundërt. Kombi ynë nuk e rrëzon kolonën e tij qytetëruese vetëm pse do Berisha e një tufë rreth tij që të bëjnë të kundërtën. Ja kjo është e gjitha.

-Drejtësia e re përfundoi takimin e saj në Uashington. SHBA ka plotësuar me materiale shtesë SPAK-un lidhur me dosjet “përvëluese” për pushtetarët e lartë shqiptarë, a mendoni se i ka dorëzuar dosjen “non grata” të Sali Berishës?

Dosja e Berishës as është dorëzuar sot, as është shkruar sot. Dosja e Berishës është shkruar fletë- fletë dhe orë pas ore. Sa ka kryer një krim Berisha- aty në fletë është shkruar. Ky ka kryer krime pa fund, jo vetëm për dosje, por shpirtrat e të vrarëve prej tij i dalin natën e nuk e lënë të vërë gjumë më sy. Sa herë ka spiunuar Berisha, spiunuar në dëm të Amerikës dhe vendit të vet, aq fletë janë shtuar në dosje. Sa herë ka tentuar të lidhet me vendet dhe agjencitë e vendeve armike ndaj Amerikës, aty është shtuar fleta. Berisha e nisi në Arabinë Saudite, Bahrein dhe Malajzi, dhe e përfundoi me Rusi e Iran. A ka bërë dëme të mëdha edhe ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara? Padyshim. Por pas kaq shumë ‘fletëve të dosjes’ presidenti i SHBA, Joe Biden, tha qartë se Berisha ( dmth., i korruptuari i madh Berisha) ka cenuar sigurinë e shtetit të Amerikës. TerReni kryesor i krimit të Berishës mbetet Shqipëria, një vend e popull i rrënuar prej tij. Këtu ‘tund një bush’ e ngrihet një krim i Berishës.

-Mund të ketë një ekstradim të afërt nga SHBA të Sali Berishës pasi shihet si kërcënim për sigurinë?

Këtu është thelbi. Sali Berisha do të ekstradohet në vende të sigurta ku hetohen dhe dënohen kriminelët e mëdhenj, ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe kundër sigurisë së shteteve. Legjislacioni amerikan është përmirësuar që pas sulmit të 11 shtatorit mbi Amerikën. Sipas këtij legjislacioni, pushteti ekzekutiv merr më shumë kompetenca për të gjuajtur në botë të gjithë ata që i kanë shkaktuar dëme sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Berisha është ky. Ngjarjet me spiunët e Rusisë dhe me sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë, i shtojnë mundësitë që si Berisha edhe Meta të ekstradohen për një hetim më të sigurt e profesional nën akuzë për krime ndërkombëtare. Meta, nga zyra e tij presidenciale ka shitur informacion të klasifikuar për agjenturën ruse, ndërsa Berisha ka instaluar në mbledhjet e Këshillit të Mbrojtjes nja nga agjentët e Serbisë e Rusisë, Damir Fazlliç. Mos harrojmë se aty ndodheshin sekretet e NATO-s e SHBA.

-Nga sinjalet e fundit, kryeministri Rama ka paralajmëruar ndryshime në kabinet, mendoni se do ketë “prerje kokash” në nivel ministrash, pas shkarkimit të Gledis Nanos?

Ka një arsye dhe një arsye të dytë, që e bën të dobishme lëvizjen dhe ndryshimin e ujërave:  Arsyeja e parë është se po ndodhin ngjarje të vrullshme, dinamike, të pa ndodhura më parë. Mazhoranca deh qytetaria ndodhen mes dy sulmeve: Nga jashtë, ku janë renditur shtetet armike me vendin tonë si Rusi dhe Iran. Këtej mund të vijnë sulme të tjera më të forta. Roli i Shqipërisë në krah të fuqive perëndimore është rritur shumë; dhe kjo është arsyeja që ata sulmojnë. E pse të mos ndryshojnë ekipe, vende në ekipe, kapacitete, koherenca? Arsyeja e dytë është se më duket sikur gjëja ka zënë ndryshk në disa hallka. Tipike ishin pallatet pa leje, pallate sa një mal, por s’i shikon syri. Tipik ishte edhe ‘vdekja copa- copa e Evis Martinaj, por pa trup. Vërej një përgjumje në qeverisje, një lloj dystllëku, një lodhje. Kur perceptohet se një administrator sado i thjeshtë në shtet, nis e vepron sikur ‘ahuuu!, le të bëhet siç është bërë’, atëherë ky duhet ndërruar. Duhet ndërruar siç ndërrohen kandelat e makinës, nuk e ndezin më motorin. Unë besoj në dinamizmin, në intuitën dhe vizionin e Edi Ramës se do t’i ndërrojë ‘bateritë’.

-Autoriteti i Dosjeve në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se disponon të gjitha provat e pakontestueshme për Ilir Metën dhe ndryshe nga komisioni Bezhani dhe Mezini  ata disponojnë arkivat origjinale dhe të paprekura, mendoni se ky është fundi i Ilir Metës në politikë?

Herë-herë bëjmë sikur analizojmë ‘soft’, dhe i vijmë rrotull Metës apo një Metë tjetër. Dhe nisim e flasim kështu: ‘A mund të ketë një dosje për Ilir Metën që titullohet I.M? A mund të dyshohet ish-presidenti? Duhet ta lëmë pas këtë stil, përderisa ndodhemi para fakteve. Fakti është se në momentin kur Ilir Meta kërcënoi se do të bënte revolucion në 25 korrik, një ditë para datës 25 nga Amerika vjen një dosje e sigurt se Meta është Spiun i Sigurimit të Shtetit. Sapo të tundë tjetrën këmbë Meta, vjen një letër tjetër: Kush ka fshehur mijëra euro në off-shorë, të vijë të godina e re afër burgut. Sapo të tundë dhëmballët, vjen thirrja për Metën si i pandehur për fshehje dhe larje të parave të pista. Kështu, direkte është puna. E ku ka më punë Ilir Meta me politikën? Po kur thonë se edhe Berisha ‘do të fitojë në politike’.! Çudira.

-SPAK ka filluar hetimet për Ilir Metën, mendoni se do të shkojë deri në fund të hetimeve?

SPAK është ngritur nga themeli bash me qëllimin që të hetojë e dërgojë në gjyq dy persona, kolona krimi: Sali Berisha dhe Ilir Meta. E si ta lërë në mes rritjen e vet zoti SPAK? Ju po më pyesni si për një vogëlush që rritet e më thoni: ‘A do të bëhet burrë?’. Djaloshi për atje është nisur:

-Si ju duket vendimi i qeverise Rama për të dëbuar trupën diplomatike të Iranit nga Shqipëria, pasi e akuzon se ka gisht në sulmin kibernetik që ndodhi pak ditë më pare në vendin tonë?

Është vendim dinjiteti për kombin shqiptar. Është vendim që na radhit në anën e fitimtarëve të historisë. Është vendim që na bën të konsiderohemi në politikën qytetëruese botërore, na vë me dinjitet krah Amerikës. Shqipëria guxoi, Shqipëria nuk i bie kujt në qafë, por nuk lë ta cenojnë. Ky është vendimi më i fuqishëm politik me diplomatik që nga periudha e Luftës së Ftohtë, që solli Lufta e Dytë Botërore. S’është për duartrokitje si atëherë, por është model i sjelljes me dinjitet mes nesh, model edhe i Drejtësisë./SOT

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qerosi: 12/09/2022 22:27

    Pirdhni të çfryheni !

    Përgjigju
  • Mjeshtër Xhavit Karaj: 12/09/2022 17:09

    O Frok Çupi për ty kam respekt, po mos u bo më keq se Rexheo Bule Leka [ kepi ] që është me 7 klas shkoll. Po kur pra do futen kto 2 kuçedra në burg që të shpëtoi Dhqipria. Se Saliu po shkon 80 vjeç e po shijon gjën e vjedh që po i lun fen. Po ashtu dhe Öikja po bën qef me vjedhjet galopante me atlete 600 euro. Me një fjal gjakun dhe djersën e popullit Shqiptar po i bojn rush e kumlla. A e ke pa sy peshkaqenin ska kap një dit pune me dor e po i bi Botës përqark me lekët e vjedhme. Pra është zgjat muhabeti shum e spo shofim ndonjë ppun të mir o Zoti Frok Çupi. Megjithatë fjala jote në vesh të Zotit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen