Vrasja e Bujar Kaloshit ishte e dyta…. I pari akt ka ndodhur aty nga fillimi i shkurtit të atij viti, 1996. U krye një krim i madh në Tiranë dhe rojet tribale të presidentit vrapuan natën në redaksinë e gazetës sonë ‘KJ’, na futën nëpër makina dhe na plasën në qeli…. Mund të na kishin vrarë të gjithëve, ose mund të na kishin mbajtur aty deri në sfilitje. Puna ishte të mbyllej goja që fliste për krimin e tyre.
… Një jetë të tërë kanë gjurmuar krim pas krimi; mbyll njërin e shqyej sytë mos i hapet goja tjetrit… Çfarë ndodhi dje me Lul Bashën e PD që rrëmoi në një akt krimi ‘bumerang’?. U zgjua ‘rrufgjueshëm’ dhe doli me shpatë ‘kush na ka vrarë kolonel Bujar Kaloshin!’.
‘Rrufgjueshëm’, në gegnishten mes Shkodrës dhe Matit, vjen nga bashkimi i fjalëve ‘siç gjuan rrufeja’. Vrasjet që u kryen gjatë qeverisjes së partisë që sot zotëron Lulzim Basha, janë ‘mbuluar’ me rrufe mbi të tjerët. U shpik dhe u gjuajt ‘organizata Hakmarrja për Drejtësi’. Pyes: Vallë pasardhësi i Berishës sot do të bëjë rolin e Indrës mitologjike?
Ky është problemi: Pasardhësi po e prek mitin për ta mbyllur më fort, apo ka ndonjë këshillë për t’i hequr mburojën krimit të vjetër?. Vrasjen e Bujar Kaloshit në vitin 1996 Luli e quajti ‘akt terrorist me prapavijë politike’. Kjo është akuzë direkte ndaj paraardhësit të vet, atëherë president i Republikës. Askush tjetër nuk e kishte atributin për ‘vijë ose prapavijë politike’.
Apo Lulzim Basha po i shërben Berishës duke i riparuar mitet e rreme? Si e pamundur duket.
Miti i parë: A shikohet gjë me sy mbyllur?!
Një jetë të tërë në oborrin e presidencës Berisha ka jetuar fantazma ‘Hakmarrje për Drejtësi’, njësoj si Klaudi dhe Princi në kështjellën e Hamletit. Por asnjëherë nuk u panë, as u prekën, as u ndjenë si frymorë ata të ‘Hakmarrjes për Drejtësi’; sikurse nuk u mësua kush e vrau Hamletin, cila nga fantazmat. Miti i Hamletit ra kur u tha se mbreti e kishte parë vrasësin teksa i kishte sytë të mbyllur.
Vetë krijuesi i fantazmës, presidenti Berisha, një ditë hoqi dorë nga krijesa e tij ‘Hakmarrja’; Hakmarrja nuk ekzistonte. Po pse sot, Luli, që duket si i lindur atë vit që u krijua Hakmarrja, merr në dorë ‘kamën’ e përgjakur dhe i afrohet heroit? Me siguri, qëllimin e ka që ta mbyllë ‘arkën’, por po bën të kundërtën.
Miti i dytë: Bombën e dinte ai që nuk e dinte.
Bomba shpërtheu në supermarketin ‘Vefa’ që ndodhej në rrugën e ‘Barrikadave’. Edhe emri i rrugës ‘e barrikadave’ ishte zgjedhur si simbol lufte. Ishte supermarketi i parë i Shqipërisë pas 4 vjet qeverisjeje demokratikas; 9 shkurt 1996. Edhe kjo- në 1996, i njëjti vit me vrasjen e Kaloshit. Bomba shkundi Tiranën, deri xhamat e shkollës ‘Sami Frashëri’ afër trenit, u bënë copë; u vranë 4 vetë. Presidenti i Republikës që ndodhej në malin e Dajtit për relaks, urdhëroi menjëherë helikopterin dhe zbriti. ‘Kjo është dora e Hakmarrjes për Drejtësi!’, deklaroi.
Izet Haxhia, njeriu më i afërt dhe trup- roje e Berishës, thotë: ‘Berisha ka qenë në Dajt. Shkoi dhe e mori helikopteri dhe e çoi në Presidencë. I thashë kështu-kështu dhe ai e priti shumë qetë, “E di, e di”, më tha”.
Kur do të flasë Lulzim Basha për ‘aktin terrorist’ që u krye gjashtë muaj para Kaloshit?
Miti i tretë- tabuja që mban në bark mitet e tjerë:
Lul Basha, duke u zgjuar pas një vrasjeje që koincidon me 26 korrikun, ka hapur një dosje për Drejtësinë e re. Brenda këtij libri të përgjakur gjallojnë dilema të pavdekshme:
Dilema e parë- bomba te Vefa. Pse? Kapitalizmi ‘shqiptar’ alias PD, po gjallonte në dy degë: Dega e iniciativës private, siç ishte supermarketi Vefa; dhe, dega e dytë- larja e parave në firmat piramidale.
Në ‘piramida’ do të laheshin paratë e ‘Shqiponjës’ dhe duart e tjera që kishin kryer trafikun e armëve e të naftës. Bomba u hodh edhe për të kërcënuar kompaninë piramidale ‘Vefa’ që të kishte mendjen, paratë ‘në dorë të atij që i deklaron të pastra’.
Mbi të gjitha: Miti i vitit, i vitit 1996:
Viti 1996 shënoi tre akte tmerrësisht të rënda:
1. Bombën e Vefa në shkurt,
2. Vjedhjen e zgjedhjeve dhe masakrimin e opozitës në Maj,
3. Vrasjen e Bujar Kaloshit në Korrik.
Me tre akte kërcënuese, qeverisja e Berishës mbyllte një epokë: Epoka ishte rënia e besimit popullor te PD; PD kishte humbur zgjedhjet që në korrik 1992 dhe kishte humbur Referendumin në 1994. Berisha ishte kapur në bisedime me Arkanin dhe Bullatovic. Gjithashtu shteti kishte hyrë në krim me vrasjen e gazetarit Ali Uka dhe të aktivistit Remzi Hoxha.
Pas kësaj hapej një epokë tjetër. Epoka më e afërt ishte ajo e vitit 1997, kur presidenti u rizgjodh me grusht shteti, kur nisi plani i sulmit luftarak mbi popullsinë e jugut dhe u hapën depot e armëve që njerëzit të vriteshin ‘mes vedi’.
Pastaj epokat e tjera si këto…
Luzim Basha nuk di pse e hapi mitin e asaj vrasjeje. Më e mira do të ishte sikur natën e qelisë, shkurt ‘96, shteti të kishte dhënë urdhër që të na eliminonte të gjithë ne gazetarët. Të paktën nuk do të kishte më gojë.