Frrok Çupi: Sikur Trump të kishte vrarë Thomas Crooks-in

Frrok Çupi: Sikur Trump të kishte vrarë Thomas Crooks-in

Donald Trump

Ose mund ta themi në sensin tonë: Sikur Aleks Nika të kishte vrarë Sali Berishën dhe jo Sali Berisha vrarë Aleks Nikën!?

E gjithë historia do të kishte marrë rrokopujë në të kundërt…, sikur të ndodhte. Por nuk ndodh në këtë botë moderne.

Gjëja më e mirë që ndodhi, në këtë rast, është se vetë djaloshi i betuar kundër Trump, Thomas Crooks, dështoi në atentatin e tij për të vrarë presidentin.

Ndërsa ana e kundërt, që presidenti Trump të kishte dalë me armë para turmave dhe të kishte nisur të qëllonte kundër Thomas e të tjerëve…, atëherë kiameti do të mbulonte botën. Atëherë do të shënohej fundi.

Në Tiranë, pra, kjo ka ndodhur në 21 Janar 2011. Kryeministri (presidenti) i asaj dite ka qëlluar me armë mbi masën njerëzore të protestuesve kundër qeverisë dhe ka vrarë katër njerëz e ka plagosur dhjetëra. Sot Struktura e Posaçme kundër Krimit (SPAK), vendosi të nisë hetimin mbi atë çështje. Pas 13 vjet, veçse.

Pikëpyetja e parë e çështjes qëndron pikërisht këtu:

Nëse Aleksi do të kishte qëlluar kundër Berishës, djali nga Lezha do të ishte vrarë në vend dhe sot do të kishte jo atë emër të ndritur që ka. Ndërsa qëlloi presidenti mbi Aleksin, e vrau dhe u deshën 13 vjet për të hapur kapakun e atij ‘varri’ ku gjallon krimi shtetëror. Presidenti kishte në dorë edhe ta vriste, edhe ta mohonte, edhe ta mbulonte përjetë.., dhe e bëri.

Në këtë fatkeqësi të përjetshme nuk zhytet bota e civilizuar, por as e drejta biblike për ‘gjakun që nuk humb’.

Dje, Prokuroria e Posaçme vendosi të nisë hetimin për krimin e vrasjes së katër qytetarëve të lirë para selisë së qeverisë në 21 Janar 2011. Kësaj here drejtësia erdhi nga një familje shumë e thjeshtë në Lezhë dhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Domethënë, për ‘njeriun biblik’ që ka humbur çdo shpresë për Drejtësi, u provua se Drejtësia vjen edhe një ditë, edhe nga jashtë.

Nëse presidenti amerikan Trump uli kokën edhe pasi e përshkroi plumbi i Thomas, kjo e ktheu në idol për njerëzit dhe që atë moment ka fituar simpatinë për një mandat tjetër. Presidenti ( kryeministri) i Shqipërisë, sapo mbetën të vrarë katër qytetarë dhe u plagosën 26 të tjerë nga ‘plumbat e qeverisë, sapo  mijëra njerëz nisën të kërkojnë  drejtësi kundër krimit të korrupsionit, ai nxori armët, vrau, fshehu krimin, linçoi njerëzit e drejtësisë.  Sapo u relaksua  për vete, dmth., fshehu e zhduku provat, frikësoi prokurorë, mjekë e gjykatës, at’botë deklaroi se ‘do t’i kisha vrarë të gjithë’.

Tani ja ku ra ‘kështjella’ e ngritur nga krimi se ‘shteti të vret e nuk të paguan’.  Sali Berisha është vënë nën hetim:

a). për ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese’. Me këtë akuzë ai do të burgoset me jo më pak se 30 vjet burg, ose burgim të përjetshëm.

b). Për bashkëpunim në krim!, që paguhet me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Për shtetin dhe për vetë presidentin do të ishte më e dobishme sikur ‘Thomas Crooks’ të kishte qëlluar ( ashtu siç ndodhi), por asnjëherë presidenti të vrasë demonstrues, aktivistë të demokracisë, qytetarë të lirë. Presidenti do të ishte i qetë, edhe sikur n’atë botë.

Kjo botë nuk mund ta durojë fshehjen e krimit shtetëror; prandaj doli mbi dhè krimi i 21 Janarit siç u hap rruga për të gjithë krimet në kohë.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Lazio e shpalli 'non grata', asnjë ofertë për Elseid Hysaj

Lazio e shpalli 'non grata', asnjë ofertë për Elseid Hysaj