Përmes një postimi në rrjete sociale ish anëtari i PD-së Ervin Salianji hodhi sot dyshime mbi një takim të mundshëm mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në aeroportin 'Nënë Tereza' ditën e sotme, ndërsa të gjithë shqiptarët po prisnin kthimin e Ramës nga Neë York ku ndodhej për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB--së dhe deklaratën e paralajmëruar të kreut të qeverisë pas situatës së krijuar në vend nga shkarkimi dhe arrestimi i ish kreut të SHISH Vlora Hyseni.
Pak para se Rama të mbërrinte në Rinas, në aeroport mbërriti Sali Berisha i cili është nisur drejt Strasburgut për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Për Ervin Salianjin, godina e aeroportit, specifikisht pjesa VIP e aeroportit, shërbeu si vend bisede mes të dy politikanëve ndaj ai i bëri thirrje Sali Berishës që të bëjë publike bisedën dhe shtroi pyetjen nëse Rama hoqi dorë nga dorëheqja pas kësaj bisede me Berishën.
Në thelb të reagimit të tij, Salianji ngriti shqetësimin për një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës për të mbajtur vendin peng.
"Edi Rama duhet të largohet me forcën e qytetarëve të bashkuar, në sheshe dhe në rrugë. Çdo orë më shumë në pushtet është një orë më shumë shërbim ndaj kapjes së shtetit, grupeve të krimit të organizuar dhe shkatërrimit të institucioneve. Rama nuk i njeh rregullat e demokracisë. Prandaj qytetarët duhet t’ia bëjnë të qartë se pushteti nuk është pronë personale dhe Shqipëria nuk është peng i askujt. Por sot ka edhe një pyetje që kërkon përgjigje të qartë: Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike? Janë pyetje që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë dhe që kërkojnë transparencë pasi u bë hera e dytë “që rastesisht” tek pjesa VIP e aeroportit gjendet Rama dhe Berisha njëkohësisht. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale" tha Salianji.
Lajmi kryesor:
‘Xing’ në Rinas! Rama vjen nga SHBA, Berisha për Strasburg! Mesazhi për ‘SHISH’? Opozita njëzëri: Kryeministri të dorëhiqet










